Site icon PORTALB

Mustafa: Ky do të jetë një vit i veçantë evropian dhe euroatlantik për Kosovën

Isa Mustafa

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka bërë të ditur se me 2 maj në Budapest do të takohet me kryeministrin e Hungarisë, Viktor Orbán, me të cilin sipas Mustafës do të bisedohet për shumë çështje të marrëdhënieve bilaterale por edhe për përkrahjen e Hungarisë në proceset eurointegruese.

Sipas kreut të Qeverisë, java e kaluar ishte me shumë ngjarje dhe aktivitete të rëndësishme.

“Në mbledhjen e Qeverisë kompletuam të gjitha kushtet për fillimin e implementimit të programit kompakt të Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit, nga i cili pritet që vendi ynë të përfitojë qindra miliona dollarë investime në fusha, të cilat do ti vlerësojmë me përparësi së bashku me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kjo është një përkrahje e fuqishme dhe e veçantë që Shtetet e Bashkuara po i japin vendit tonë” ka shkruar Mustafa në Facebook, transmeton Klan Kosova.

Ai gjithashtu ka bërë të ditur se Qeveria ka ndarë 300 mijë euro për Programin Fulbright, të Departamentit të Shteteve të Bashkuara, me qëllim të përkrahjes së studentëve, hulumtimeve shkencore, këmbimit dhe ngritjes së kuadrit universitar, kurse pritet që pjesëmarrja financiare e SHBA të jetë disa herë më e madhe për Kosovën në këtë fondacion.

“Qeveria aprovoi Kornizën Afatmesme Buxhetore, e cila parasheh rritje reale mbi 20% të të hyrave buxhetore për tre vitet e ardhshme. Këto janë rezultate të nxitjes së aktiviteteve ekonomike, racionalizimit të shpenzimeve, rritjes ekonomike dhe stabilitetit makroekonomik dhe buxhetor, të cilat po i realizon kjo Qeveri” ka vazhduar më tej ai.

Mustafa ka thënë gjithashtu se në Bruksel ka takuar kryetarin e Komisionit Evropian Jean-Claude Juncker, dhe Federica Mogherini, Përfaqësuese e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të jashtme dhe Siguri dhe nënkryetare e Komisionit Evropian.

“Biseduam për proceset integruese evropiane të Kosovës dhe në veçanti për liberalizimin e vizave. Konstatuam si një të arritur të madhe nënshkrimin dhe hyrjen në fuqi të Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit si dhe progresin e shënuar në përmbushjen e të gjitha kërkesave të BE-së për liberalizimin e vizave. Takova edhe mikun tonë, Presidentin e EPP-së, Joseph Daul me të cilin bisedova për shumë çështje të përbashkëta”.

Ai në fund ka thënë se vlerëson se “ky do të jetë një vit i veçantë evropian dhe euroatlantik për Kosovën pasi sipas tij qytetarët e Kosovës meritojnë lajme të mira.

Exit mobile version