Hapen vendvotimet për balotazhin në Kosovë

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, pret që procesi i sotëm zgjedhor të jetë në frymë me atë të 3 nëntorit dhe kështu institucionet dhe populli i Kosovës të dëshmojnë se janë në gjendje të organizojnë zgjedhje të lira, fer e demokratike.

Daka deklaroi se KQZ ka bërë të gjitha përgatitjet e duhura për zhvillimin normal të balotazhit në 25 komuna.

-KQZ është e përgatitur dhe të gjitha ato që ishin të parapara në planin operacional janë tashmë gati. Besoj se do të kemi një ditë të mbarë dhe një ditë të qetë, festive, ashtu siç ka qenë edhe dita e 3 nëntorit, pra raundi i parë.

Për të garantuar një proces të ndershëm zgjedhor nuk mjafton vetëm vullneti i KQZ’së, por duhet edhe përkushtimi i secilit person të involvuar në këtë proces, që po quhet me të drejtë test për Kosovën në rrugën e saj të forcimit të demokracisë dhe ndërtimit të shtetit ligjor.

Valdete Daka beson në vullnetin e të gjithë akterëve të përfshirë në proces, për të ruajtur imazhin e mirë të zgjedhjeve, të krijuar një muaj më parë.

-Unë shpresoj shumë se të gjithë ata akterë, të cilët janë përgjegjës për ditën e sotme, duke filluar nga KQZ’ja, nga institucionet e rendit, nga vetë qytetarët si votues, nga komisionerët, nga subjektet politike, etj, që tashmë një herë janë dëshmuar se janë të vetëdijshëm për rëndësinë e këtyre zgjedhjeve, se ne si Kosovë dhe si shtet mundemi dhe dimë t’i organizojmë zgjedhjet fer, të lira dhe demokratike, që edhe kësaj here do të dëshmohemi.

Lajme të ngjashme

Back to top button