NPK Tetovë rrit të ardhurat nga faturimi, ujë nuk ka

Në seancën e sotme të Këshillit të Komunës së Tetovës, NPK Tetovë ka dhënë raportin financiar për punën e ndërmarrjes nga muaji korrik deri në muajin shtator të këtij viti.

Drejtori Xhelal Ceka, tha se NPK-ja realizoi të hyra të përgjithshme në shumë prej mbi 34 milion denarëve të cilët në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar kjo paraqet rritje prej 0, 58 për qind.

“Të hyrat janë rritur për 198.107, 00 denarë. Nga kjo del se prej kësaj periudhe fillon një tendencë e rritjes së faturimit për disa shërbime komunale që i bën ndërmarrja. Po ashtu kemi pagesa të rregullta të rrogave të punëtorëve dhe një makineri më të mirë për grumbullim të hedhurinave”, theksoi Ceka. 

Prezantimi i raportit financiar për Ndërmarrjen Publike Komunale Tetovë, është përcjellë me debat të nxehtë mes këshilltarëve të PDSH-së dhe BDI-së për ujësjellësin.

Këshilltari i PDSH-së, Durim Luma, ka akuzuar punën e kësaj ndërmarrje sidomos në praktikën e saj për dënimin e qytetarëve për mos pagesën e faturave të ujit në kushtet kur furnizimi me ujë i qytetarëve varet nga kushtet atmosferike.

Këshilltarët e VMRO-DPMNE-së kërkuan që të dinë sa puse janë aktive në qytet për momentin. Ceka u përgjigj se janë dy puse aktive, kurse në të ardhmen do të aktivizohen edhe të tjerë pasi që uji në burime gjithnjë shkon duke u zvogëluar dhe mungesa e ujit do të jetë evidente ndërsa me këta puse, sipas tij, do të tentohet të përmirësohet situata. 

Lajme të ngjashme

Back to top button