Kombet e Bashkuara po ndërmjetësojnë sot rrethin e ri të bisedimeve në Gjenevë, të cilat kanë për qëllim t’i japin fund luftës civile në Siri, njofton REL.
I dërguari i posaçëm i OKB-së, Staffan de Mistura, ka thënë se është nevojë urgjente për qeverinë dhe opozitën siriane që të ndërmarrin hapa drejt trancizionit politik.
“Është shumë e rëndësishme që armëpushimi të vazhdojë, që ndihmat humanitare të arrijnë çdo sirian, sidomos ata në zonat e rrethuara”, ka thënë Mistura.
Por, korrespondentët thonë se shanset për suksesin e bisedimeve janë të zymta, për shkak të luftimeve në Alepo midis forcave qeveritare dhe Frontit al-Nusra.
Ndërkohë, në zonat që kontrollohen nga qeveria në Siri, po zhvillohen votimet për parlamentin e ri prej 250 anëtarësh.
Rreth 3,500 kandidatë, të miratuar nga qeveria, janë në garë.
Damasku ka thënë se votimet janë kushtetuese dhe të ndara nga bisedimet e paqes në Gjenevë.
Lufta civile në Siri, e cila ka nisur qysh në vitin 2011, ka vrarë mbi 270,000 njerëz dhe ka zhvendosur gjysmën e popullsisë.