Site icon PORTALB

Pa palën e dytë, lajmi del i cunguar

Nga teksti i recensuar i portalit Aktuale

[Recension: Çfarë di Fatmir Limani për Qufën që ai aq shumë i frikësohet?!]

Për t’i kontribuar debatit gazetari ngre pyetje në opinion, por ato nuk duhet të shfrytëzohen për ta hutuar apo defokusuar opinionin, por për të sqaruar çështjet e paqarta. Megjithatë, për të qartësuar çështjet diskutabile, duhet të përfshihen të gjitha palët.

Linku deri te artikulli origjinal: “Çfarë di Fatmir Limani për Qufën që ai aq shumë i frikësohet

Data dhe koha e publikimit: 31.03.2016

Data e recensionit: 05.04.2016

Recensues: Xhenis Sulimani

Produkti gazetaresk që po e recensojmë nis me titullin: “Çfarë di Fatmir Limani për Qufën që ai aq shumë i frikësohet?!”. Pyetje kjo, përgjigjen e së cilës nuk e gjen dot askund në tekst. Dhe, në vend se përmbajtja të japë përgjigjen e pyetjes në titull, ajo më tutje vazhdon të theksojë cështjen, pa e bërë këtë.

“Atëherë pyetja është: Çfarë din Fatmir Limani për Adilin që ai aq shumë po i frikësohet?!”

Duke filluar dhe përfunduar tekstin me pyetje, përmbajtja dëshmon se rezultati i saj nuk ka qenë informimi objektiv i opinionit, por çorientimi. Për pyetjen e theksuar në tekst, gazetari ka mundur fare lehtë të kërkojë prononcimin dhe të përfshijë palën, të cilën e akuzon për mosprezencë në debat. Lajmi do të ishte i plotë, nëse kishim prononcim nga personi, emri i të cilit përmendet në tekst, por që nuk është thirrur apo kontaktuar për sqarim. Sipas Kodit etik gazetaresk:Ata që kanë qenë objekt i sulmit apo kritikës duhet të kenë mundësi të përgjigjen para se kontributi të publikohet, dhe nëse kjo nuk ndodh dhe përgjigja vjen pas publikimit, ajo duhet të jetë e botuar në vëllim të arsyeshëm, e lidhur me temën dhe në formë korrekte.”

Kështu, në vend të qëndrimeve personale për mosprezencën e politikanit të apostrofuar në debat, po të qëndronte prononcimi i këtij të fundit, teksti do të fitonte në balancë dhe saktësi, ndërsa gjykimi do t’i mbetej atij që duhet – lexuesit.

Exit mobile version