Site icon PORTALB

Rinis kthimi i refugjatëve nga Greqia në Turqi

Refugjat, emigrant

Ilustrim

Ka rinisur kthimi i emigrantëve nga Greqia në Turqi në orët e para të ditës së premte. Grupi i parë i emigrantëve arriti në Turqi të hënën, por që atëherë procesi kishte ngecur, për shkak edhe të rritjes së minutës së fundit të kërkesave për azil në Greqi, njofton TCH.

Çdo person i deportuar shoqërohet nga një përfaqësues nga Agjencia Kufitare e BE-së. Një zëdhënës i Frontex tha se nuk ka pasur asnjë problem gjatë dërgimit të emigrantëve nga kampi për në port.

Sipas marrëveshjes mes Bashkimit Europian dhe Turqisë, të gjithë emigrantët të cilët kanë hyrë ilegalisht në Greqi pas datës 20 mars do të kthehen nëse të njëjtit nuk do të aplikojnë për azil në shtetin helen ose nëse kërkesa e tyre do t’ju refuzohet.

Gjithashtu, marrëveshja parashikon që për çdo emigrant sirian të kthyer në Turqi, një sirian me dokumente të rregullta i ndodhur tashmë në atë vend, të sistemohet në Bashkimin Europian.

Ndërkohë, Presidenti turk, Rexhep Tajip Erdogan, deklaroi se vendi i tij nuk do të pranojë më sirianë, nëse Bashkimi Europian nuk përmbush kërkesat e Ankarasë.

“Është një proces që duhet ndjekur, janë kushte konkrete. Turqia nuk do të zbatojë asnjë marrëveshje për të marrë refugjatë sirianë nëse Bashkimi Europian nuk do të plotësojë kushtet e paravendosura në marrëveshjen tonë”, u shpreh Erdogan.

Exit mobile version