Site icon PORTALB

Greqi, sekuestrohet sasi rekord ari, tre të arrestuar

Një sasi rekord prej 33.5 kilogramësh ar është sekuestruar prej autoriteteve doganore greke në pikën kufitare të Kipusit, në kufirin greko-turk, njofton TCH.

Sipas autoriteteve greke, ngarkesa prej 18 pllakash ari me peshë 33.5 kilogramë në total, ishte e fshehur në bordin e një taksie që po dilte nga Greqia, me destinacion Stambollin.

Një pjesë e ngarkesës, 14 kilogramë, ishte fshehur në pjesën e brendshme të portave dhe në shasinë e automjetit, ndërsa pjesa tjetër në çantat personale të 3 pasagjerëve që po udhëtonin.

Vlera e arit të sekuestruar llogaritet nga 800 mijë deri në një milion euro, ndërsa akciza që shteti grek do të humbiste vlerësohet në afro 200 mijë euro.

Kjo është sasia më e madhe e arit të kapur ndonjëherë në Greqi.

Dogana greke bën të ditur se, po heton prejardhjen e ngarkesës, por dyshohet se ajo është grumbulluar në pikat e shumta të grumbullimit nëpër qytetet e vendit, të cilat grumbullojnë sende me vlerë nga grekët e gjendur në vështirësi ekonomike, të cilët shesin me çmime qesharake sende floriri si orë të shtrenjta, madje në disa raste edhe dhëmbët e florinjtë, për të paguar koston e lartë të taksave dhe barrën e rëndë fiskale, që iu është ngarkuar prej qeverisë.

Të arrestuarit u dërguan në Gjykatën e Komotinisë për masë sigurie, ndërsa sasia e arit dhe automjeti i trafikantëve u sekuestruan.

Exit mobile version