Site icon PORTALB

Politikanë të ri apo politikë e re

Salajdin Salihu

Salajdin Salihu

Disa të rinj, të pa ekspozuar, u betuan si ministra në qeverinë kalimtare. Dukeshin të druajtur nën petkun e ri. Askush s’mund ta thotë nëse druanin nga pesha e përgjegjësisë që do t’ua rëndojë supet.

Ministrat e ri janë si lojtarë ekipesh juniore, të cilët papritur marrin ftesa nga trajneri i humbjeve të njëpasnjëshme, që të futen në lojë, pasi ekipi i seniorëve ka dështuar dhe nuk honepset nga publiku i zhgënjyer, të cilit, megjithatë, nuk i intereson mosha e lojtarëve, por rezultatet e tyre.

Pas dështimeve të mëdha, njerëzit bëhen mosbesues të mëdhenj, kurse shpresën e humbur mund t’ua kthesh vetëm me mund të madh e me rezultate konkrete. Ata nuk magjepsen nga politikanët e ri. Duan politikë të re.

Ministrat e ri tani kanë hyrë në lojë interesash të mëdha, që prodhojnë konflikte të mëdha. Flaken keqas ata që nuk mendojnë paraprakisht për pozicionin e tyre në atë lojë, ku vlen thënia e Aristotelit: “Të dashur miq, nuk ka miq”. Po më keqas mund t’i flak historia, nëse nuk do e kanë parasysh qasjen e Miçkjeviqit se politika “nuk mund të bëjë pa një themel moral”.

Nuk duhet paragjykuar e as akuzuar për gjëra që s’i kanë bërë. As mund t’i fajësojmë për dështimet e partisë së tyre. E them pa ironi: sikur kjo të kishte ndodhur para disa vitesh, shikuar nga këndvështrimi i përfaqësimit shqiptar, do të ishte qeveri mbresëlënëse. Sot ka shumë arsye për dyshime gërryese rreth misionit të ministrave të ri, pas emrave të të cilëve nuk ka afera, nuk ka paudhësi të bëra në të kaluarën komuniste. Ata nuk i përkasin këtij brezi. As nuk mund t’i akuzosh për dështime. Nuk kanë pasur rastin të dëshmohen. Janë vetëm “të rinj”, “të pa ekspozuar”, “të pa përvojë”.

Nuk duhet pasur frikë prej të rinjve që merren me politikë, përpos nëse nuk dinë ta lexojnë kohën, nëse nuk reflektojnë, së paku, ndjeshmërinë e brezit të tyre, i cili, deri tani, i ka ndjerë më së shumti dështimet e politikës së “ujqve të vjetër”. Gabimi i tyre i pafalshëm do të jetë nëse do të shërbejnë si telekomandues në duart e të tjerëve, që “u qëndrojnë pas”.

Ngjitja e papritur e tyre në majat e pushtetit ka ndodhur si pasojë e një plasaritjeje të madhe në shtet dhe në parti. Pa këtë plasaritje asnjëherë s’do ta fitonin betejën për ministra në partinë që e përfaqësojnë. Në këtë befasi ka një trill: janë menduar si mburojë për shpëtimin e ekipit që shkon drejt humbjes. Kjo është përparësia që duhet ta shfrytëzojnë: nuk ua kanë nevojën “ujqve të vjetër”, që shpejtojnë t’i mburrin për gjërat që nuk i kanë bërë e që duhet “t’i bëjnë” apo kur thonë se kanë sakrifikuar për ta lartësuar këtë brez. Nëse ministrat e ri janë të zgjuar duhet ta ndërmendin atë që tha Shekspiri se pas “çdo buzëqeshje fshehet një thikë”.

Nëse kanë pranuar të jenë “matrioshka”, janë si druri që ja kanë vënë shenjën për t’u prerë, siç thotë Kadare, në një tjetër kontekst.

Nuk duhet të gënjehen: “ujqit e vjetër” do t’u thonë se “e kanë përkrahjen e tyre”, por më së paku ua duan suksesin. Çdo sukses i të rinjve dëshmon për dështimet e paraardhësve të tyre. Por çdo sukses i ministrave të ri hap udhë për të rinjtë tjerë që të futen në listat e kandidatëve për deputetë. Nëse do të tentohet që të jenë në lista deputetët e tanishëm, atëherë mashtrimi do të dalë në shesh. Nëse ministrat e ri luajnë rolin e matrioshkave, atëherë nuk do të jenë në shërbim të karrierës personale, as të brezit të tyre, as të votuesve, por të “ujqve të vjetër”, që mezi presin të ngjiten në skenë, pasi të kenë thënë se politika nuk mund të bëhet pa ata që “kanë përvojë”.

Partitë politike u kanë lejuar pushtet të rinjve vetëm kur i janë afruar humnerës. Jo se kanë dashur, por kanë fituar kohë. Pasi kalimit të stuhisë sërish janë ngjitur në skenë “ujqit e vjetër”. Paraprakisht u kanë lejuar hapësirë të rinjve vetëm për nga mosha, për efekte mashtrimi, por jo politikanëve të rinj që sjellin frymë të re.

Ministrat e ri kanë rast të bëjnë politikë autonome, çliruar prej hijeve të “të mëdhenjve”, që nuk dëshmuan se ishin të tillë. Duken të pafuqishëm, por kanë fuqi që mund ta shfrytëzojnë: partia që i propozoi si ministra ka nevojë për ata. Nëse i largon për shkak të qëllimeve klanore, sërish do ta kenë udhën e hapur. Nëse do të shërbejnë si dekor, për çka kemi dyshime të arsyeshme, atëherë do të punojnë jo vetëm kundër vetvetes, por edhe kundër brezit të tyre. Nuk ka dilemë: nuk mund të bëjnë mrekulli. Arsyeja: shqiptarët në Maqedoni kanë probleme me sistemin shtetëror, i cili është ngulfatës. Në këtë qeveri kalimtare, nuk do ta ndryshojnë sistemin. Të paktën mos bëhen pjesë ndihmëse e sistemit çoroditës. Të japin një impuls të ri në politikë..

Personalisht nuk besoj në parulla partish. Botën nuk dua ta shoh me syze ideologjike. Kam qenë kritik ndaj partisë së ministrave të ri. Vazhdoj që të jem. Por më së paku e dua dështimin e një brezi të ri në politikë, qofshin në partinë në pushtet apo në ato opozitare. Ndaj të njëjtët mendime si të mendimtarëve shqiptarë, që besuan në mençurinë dhe guximin e djalërisë, siç quhej dikur rinia.

Tajar Zavalani mendonte se me kapitalin moral, kulturor, intelektual të brezit më të vjetër nuk mund të ecej përpara, pasi të vjetrit nuk mund të kuptojnë problemet e kohës, dëshirat e rinisë për ndryshim”. Ai gjykonte se rinia duhej të merrte përgjegjësi, të ndikonte në ngritjen kulturore të kombit, të bëhej avangardë përparimi, të kishte disiplinë, ide të qarta, vullnet pune, shpirt sakrifice, të kishte qëllime jete. Apo Ismet Toto që besonte se shteti mund të përparonte nëse do të udhëhiqej nga “të rinjtë e pastër, të pakorruptuar, ata që janë intansigjentë në parimet morale të shtetit dhe të individit”.

Brezi i ri i politikanëve do të ketë sukses vetëm nëse kërkon udhë të reja. Nëse ec udhës së vjetër dështimin e ka të garantuar. Nuk dua të paragjykoj. Janë më të ri se sa unë. Dua të kenë sukses, por kam dyshime gërryese, për sa kohë partinë ua komandon një tjetër brez.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

 

Exit mobile version