Site icon PORTALB

Vuçiq: ‘Trepça’, e Serbisë

Vuciq në Kosovë

Vuciq në Kosovë

Nga Mitrovica edhe një herë e përsëriti qëndrimin se Serbia nuk do ta njohë asnjëherë Kosovën.

Madje kryeministri serb, Aleksandër Vuçiq, i cili dje qëndroi për vizitë në Kosovë shtoi se as nuk e mendon pjesëmarrjen në inaugurimin e Hashim Thaçit president.

Megjithatë vizita e tij nuk kaloi pa “incidente”.

Pak orë para se të shkelte në tokën e Kosovës, një bombë ka shpërthyer në Zubin Potok, në ambientet kur ai është planifikuar t’u mbajë fjalë qytetarëve të Zubin Potokut.

Pas bombës janë shkrepur edhe armë, të cilat e kishin shqetësuar Vuçiqin, por ai tha se nuk ndihet i frikësuar.

“Nuk jam nga ata njerëz në skenën politike të Serbisë që frikohen, që qajnë e kukasin. Unë tani shkoj në Zubin Potok dhe nuk kam frikë. Nuk është hedhur vetëm bomba, siç më kanë njoftuar, ‘tre trima’ janë paraqitur, njëri e ka hedhur bombën, e të tjerët kanë shkrepur rafal nga armët automatike. Bomba e vërtetë M75 ka eksploduar dhe ka mundur të vrasë njerëz”, është shprehur Vuçiq, shkruan sot gazeta “Zëri”.

Për incidentin me bombë në palestrën e sporteve në Zubin Potok, ka thënë se e kanë gjuajtur serbët, për të cilët mendon se nuk do të kapen.

Ndryshe, me të hyrë në pjesën veriore të vendit, kryeministri serb ka nxituar t’i vizitojë minatorët e Flotacionit “Trepça” në Leposaviq, me ç’rast ka siguruar se “Trepça” do të jetë e tyre, e Serbisë dhe e gjithë popullit serb. Ai ka shtuar se Qeveria e Serbisë bashkë edhe me drejtuesit e “Trepçës” do ta ruajnë kombinatin, do të investojnë në të, do të sillen në raport me “Trepçën” sikurse ndaj të gjitha subjekteve të tjera ekonomike në Serbi, si dhe ka premtuar se në Bruksel, pa asnjë dyshim do të luftojnë për “Trepçën”.

Ai tha gjithashtu se Serbia nuk do të lejojë që të jetësohet Ligji për “Trepçën”, me të cilin “Trepça” shndërrohet në ndërmarrje publike.

Exit mobile version