Site icon PORTALB

Paloka: E kam dorëzuar armën me leje, 182 të tjerë e kanë!

Edi Paloka

Edi Paloka

“Përpjekja për të vënë shenjë barazie mes rastit të Prengës dhe Strazimirit, është një lojë e stisur dhe tentativë e dështuar”. Kështu është shprehur kryetari i Grupit Parlamentar i Partisë Demokratike, Edi Paloka, gjatë një interviste dhënë në emisionin “Oktapod”, të Turjan Hyskajt, në Vizion Plus.

Nënkryetari i demokratëve, theksoi gjithashtu se edhe ai vetë është njoftuar vetëm pas rastit të Strazimirit për dorëzimin e armës me leje që mban, duke shtuar se janë edhe 182 zyrtarë të tjerë, kryesisht të mazhorancës, që nuk e kanë dorëzuar armën.

Për Edi Palokën, e gjitha është një lojë e neveritshme, pasi me ndryshimin e ligjit, i takonte Ministrisë së Brendshme të njoftonte. Sipas tij, nuk mund të ketë analogji mes një deputeti që qëllon me armë dhe plagos e vret, me një deputet që ende nuk dihet nëse kishte armë në brez, por që edhe nëse ka patur, nuk e nxorri kurrë në publik.

Lidhur me një hetim e ndoshta burgim të Strazimirit, Paloka tha se kjo është një ëndërr perverse e Edi Ramës, pasi ai do ta shohë të gjithë opozitën në burg. Për kreun e deputetëve demokratë, Byroja Kombëtare e Hetimit mund të votohet që nesër, por mazhoranca nuk do, pasi nuk pati mundësi që ta vinte nën drejtimin e kryeministrit apo ministrit të Brendshëm.

Megjithatë Paloka u shpreh që nëse Kuvendi voton kalimin në Gjykatën Kushtetuese të mandateve të deputetëve Leskaj dhe Suli, si edhe vijohet zbatimi i kriminalizimit, opozita do t’i rikthehet normalitetit institucional.

Përsa i përket marrëdhënieve personale mes tij dhe kryeministrit, Paloka tha se me Ramën ka njohje të vjetra dhe se kreu i PS është njeriu më vulgar nga goja, që ka njohur. Por sipas Palokës, asnjëherë ai nuk do t’ia lërë mangut përgjigjen.

Nënkryetari i demokratëve vuri në dukje se nuk do të ketë në asnjë rast aleancë me Ilir Metën, duke theksuar se pavarësisht se Meta e vë Ramën gjithnjë në vështirësi, ata bashkë i miratojnë ligjet korruptive.

Exit mobile version