Site icon PORTALB

Hahn takon Metën: Reforma në drejtësi, parakusht për hapjen e negociatave

Hahn takon Metën

Kreu i Kuvendit Ilir Meta priti sot Komisionerin e Bashkimit Evropian për Politikat e Fqinjësisë Evropiane dhe Negociatat e Zgjerimit, Johanes Hahn, i cili shoqërohej nga Ambasadorja e BE-së në Tiranë, Romana Vlahutin.

Në qendër të bisedimeve ishte reforma në drejtësi dhe rëndësia e përmbylljes së saj. Meta rikonfirmoi se menjëherë pas dakordësisë mes palëve politike në Komisionin e Posaçëm, ndryshimet e propozuara do të votohen menjëherë pa vonesa në Kuvend.

Kreu i Kuvendit shprehu mirënjohjen për kontributin e vyer të Komisionit të Venecias përgjatë këtij proces si dhe për mbështetjen e vazhdueshme të strukturave të BE-së, veçanërisht të Misionit EURALIUS-it në Tiranë dhe të PE-së në gjetjen e një kompromisi dhe për garantimin e gjithëpërfshirjes.

Meta vuri në dukje se faza e zbatimit të reformës në drejtësi është kyçe jo vetëm për efikasitetin e luftës ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar, por edhe për përmirësimin e imazhit ndërkombëtar të Shqipërisë, veçanërisht në raport me investitorët.

Nga ana e tij Komisioneri Hahn u shpreh se përmbyllja e reformës në drejtësi është faza më kyçe e këtij procesi dhe vuri në dukje se reformimi i sistemit të drejtësisë është parakusht për hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, shkruan shekulli. Ai theksoi se Komisioni Evropian do vazhdojë t’i qëndrojë pranë Shqipërisë për përshpejtuar progresin e procesit të integrimit evropian të vendit, i cili duhet trajtuar si një interes i përbashkët kombëtar. Pjesë e diskutimeve ishin edhe Reforma Zgjedhore si dhe roli i Shqipërisë në rajon.

Exit mobile version