Site icon PORTALB

Hahn-Rama: Reforma në drejtësi, prioritet kyç për hapjen e negociatave

Hahn-Rama, foto arkivi

Pas përfundimit të tryezës së dialogut të nivelit të lartë Shqipëri-BE, komisioneri për Politikat Evropiane të Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit, Johannes Hahn dhe Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, kanë mbajtur një konferencë për mediat, ku u fokusuan tek procesi i përmbylljes dhe miratimit të reformës në drejtësi, si një prioritet kyç për hapjen e negociatave të anëtarësimit, raporton Anadolu Agency (AA).

Kryeministri Rama në fjalën e tij i ka bërë dhe një ftesë publike opozitës, për një tryezë të nivelit të lartë politik, duke shtuar që të ndahet axhenda partiake nga ato kombëtare.

“Takimi i sotëm konfirmoi angazhimin e Shqipërisë dhe Komisionit Europian për progresin e bërë drejt stacionit të radhës që është hapja e negociatave. Janë vënë në dukje arritjet e reformave që ndikojnë në përmbushjen e 5 prioritete për hapjen e negociatave të anëtarësimit. U konfirmua nga ana jonë vullneti për të thelluar reformat. Reformat janë një detyrim për fëmijët tanë dhe Shqipërinë e gjeneratës tjetër. Reforma në drejtës është kyçe, në një proces që në raport me Brukselin do të krijojë kushtet për hapjen e negociatave dhe për të ndërtuar një sistem drejtësie të denjë për një vend që aspiron të bëhet anëtar i BE-së”- u shpreh Rama.

Kryeministri i Shqipërisë ka pohuar se miratimi i reformës në drejtësi është shtegu i duhur për hapjen e negociatave. Kjo reformë sipas tij do të këtë një efekt të drejtpërdrejtë në rritjen e cilësisë në luftën kundër korrupsionit.

Ndërsa komisioneri Hahn u shpreh se e ardhmja evropiane e Shqipërisë të shihet si interes kombëtar i vendit.

“Mund të ju them që ishte një takim produktiv dhe duhet të ketë diskutime midis përfaqësuesve të partive politike. E ardhmja evropiane e Shqipërisë të shihet si interesi kombëtar i vendit. Element kyç është reforma në sistemin e drejtësisë. Duhen shumë shpejt vendime në mënyrë që të vazhdojmë punën me udhërrëfyesin. Një gjyqësor funksional është tejet i rëndësishëm për qytetarët e vendit dhe prioriteti i parë është ky”- theksoi Hahn.

Miratimi i reformës në drejtësi, sipas komisonerit të BE-së është vetëm gjysma e njërës anë, gjysma tjetër është zbatimi i saj. “Hapja e negociatave për anëtarësim në BE është një datë, por duhet të përqendroheni te procesi. Duhet që vendi të nisë këtë proces, që të shohim angazhimin dhe të bëhen analizat përkatëse”, tha Hahn.

Ai është ndalur edhe në procesin e reformës zgjedhore, ku ka theksuar se duhet shikohet me prioritet.

Exit mobile version