USHT-ja të martën shënon përvjetorin e 19-të

Më 17 Dhjetor Universiteti Shtetëror i Tetovës shënon përvjetorin e 19 të themelimit të tij, në kuadër të këtij jubileu Rektorati dhe gjitha njësitë akademike, me kuadrin arsimor dhe studentët do të organizojnë aktivitete të ndryshme për ta shënuar këtë datë historike. 

Rektori i Universitetit Shtetëror të Tetovës Vullnet Ameti tha se gjatë këtyre aktivitete do t’i shpalosin arritjet njëvjeçare në veprimtarinë arsimore, shkencore, artistike dhe veprimtarinë e përgjithshme të Universitetit. 

 “Shënimin e këtij përvjetori do ta fillojmë me një aktivitet sportiv, të organizuar nga Fakulteti i Kulturës Fizike, që do të zhvillohet më 16 dhjetor, me fillim në orën 13:00. Po këtë ditë, në orën 14:00, stafi drejtues i Universitetit në një pritje speciale, në përputhje me vendimin e Senatit të Universitetit, do të ndajë : 150 bursa për studentët me mesatare të lartë. 16 dhjetorin do ta përmbyllim, në orën 18:00, me një manifestim artistik të përgatitur nga profesorët dhe studentët e Fakultetit të Arteve” tha Ahmeti.

Në kuadër të manifestimeve për 19 vjetorin e themelimit të USHT-së, më 17 Dhjetor do të mbahet Akademi Solemne ku janë ftuar, tre liderët e partive politike shqiptare në Maqedoni, Ali Ahmeti i BDI-së, Menduh Thaçi i PDSH-së dhe Rufi Osmani i RDK-së, përfaqësues të spektrit diplomatik, deputet, ministra, akademik, kryetar të komunave, përfaqësues të bashkësive fetare, profesor dhe student.

 “Më 17 dhjetor, në orën 10:00, në Rektoratin e Universitetit do të hapim ekspozitën artistike, ku punimet e tyre do t’i prezantojnë profesorët dhe studentët tanë të Fakultetit të Arteve.Agjendën e aktiviteteve tona do ta vijojmë, në orën 13:00, me homazhe tek varri i themeluesit dhe Rektorit të Parë të Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Fadil Sulejmani. Ndërkaq, aktivitetin kryesor të këtij përvjetori, të nëntëmbëdhjetin me radhë, do ta përfundojmë me organizimin e Akademisë solemne, në të cilën i kemi ftuar të marrin pjesë, rektorët e universiteteve publike dhe private nga vendi, rajoni dhe universitetet ndërkombëtare” tha më tej ai./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button