Site icon PORTALB

Kush e solli Krishtin

Pas vdekjes së Enver Hoxhës, një miku im i vjetër, më tha! Nuk e di arsyen, gjithë kjo urrejtje, neveri, fobi, deri në paranojë ke ndaj shokut Enver Hoxhës dhe Partisë së Punës. Je  indokrinuar, katandisur keq sa je bërë viktimë e shtypit dhe propagandës jugosllave. Unë iu përgjigja mikut tim: Nuk jam i indokrinuar dhe as viktimë e propagandës jugosllave, por kam një hall tjetër, kam urrejtje patologjike që është shndërruar në sindrom. Shqipëria ishte bërë shteti i parë ateist në botë. Ҫdo gjë kishte filluar natën e Pashkëve. Ishin ndaluar ritet dhe festat fetare. Por fshehurazi nëpër familje akoma festoheshin. Në një mur të kishës së fshatit ishin shkruar disa parulla, sllogani ishte ‘Krishti do kthehej prapë’.

Pa u gdhirë, forcat policore dhe ushtarake, kishin rrethuar fshatin, kishin hyrë duke bastisur nëpër shtëpitë, duke thënë, kush janë ata që e sollën Krishtin. Një pjesë ishin arratisur, disa burra të fshatit i kishin arrestuar, dhe i kishin ҫuar në një fushë. Njëri xhelat kishte thënë që tani do tju dorëzojnë tek Krishti. Ata, gjithë burrat i kishin vrarë, me plumba pas kokës. Ishte bërë traditë, sipas rregullave komuniste kulakët dhe rebelët kozak, vriteshin me plumba pas koke. Duke i persekutuar, ata kishin vazhduar të njëjtat fjalë, ‘Kush e solli krishtin’. Në fund ishte dëgjuar zëri, tradhtarët e kombit, do t’ju dënojë zoti i historisë. Rroftë  Shqipëria.

Mes atyre që ishin arratisur, dhe kishin kaluar kufirin maqedonas, ishin tre emigrant. Këto ngjarje, makabre dhe tragjike ishin fakte historike të bazuara në rrëfimet e tre emigrantëve. Babai im i ndjeri kishte një ëmbëltore,  në Prilep. Ai  i kishte bërë miq të afër duke parë që kishin pësuar dhimbje dhe vuajtje të madhe. U kishte dhënë ndihmë, ngushëllime, ngrohtësi, mikpritje, pasi njëri nga vëllezërit e tyre kishte shkelur në një minë dhe kishte mbetur i vdekur. Vinin tek ne dhe rrinin deri vonë duke biseduar. Njëherë tregonte babai im, njëri nga emigrantët, Kola, kishte thënë: Miku im i dashur, Hebib, e di që gjithë familjet do të na i internojnë, atje është vdekje polare! Kur kalova kufirin, mu duk vetja se dola nga varri. Ky prolog dhe kjo dramë, tërë jetën më sillej në kujtime.

Ishte viti 1969, isha mes fëmijërisë dhe adoleshencës. Kishte filluar viti shkollor, unë u  ktheva në Tetovë. Nga i ati mora vesh, që qeveria maqedonase të tre emigrantët ia kishte dorëzuar komisariatit të Kombeve të Bashkuara në Greqi. Më vonë xhaxha Lazëri, miku i ngushtë i babait, një shqiptar që i përkiste besimit ortodoks nga Reka fshatra të komunës së Gostivarit, e thirrnin usta Llaza, i cili na furnizonte me korneta të akulloreve dhe kadaif, kishte sjellë një lajm të mirë. Ata të tre kishin shkuar në Amerikë, pasi dëshira e tyre ishte të shkonin në vendin e premtuar dhe të ëndrrave, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Exit mobile version