Site icon PORTALB

Rama në Berat: Eksportet në janar u rritën me 1.5 miliardë lekë

Edi Rama

Për të parë nga afër lehtësitë që programi mbështetës krijon për fermerët, kryeministri Rama ishte në një pikë të grumbullimit, në Urën Vajgurore. Drejtuesi i firmës Lorenc Hatija u shpreh optimist për ndihmën e përfituar, duke treguar se falë saj ai arriti të rrisë numrin e të punësuarve indirekt nga 1000 vetë në 2700 vetë.  Në bisedë me të kryeministri Edi Rama u shpreh se programet e ndihmës financiare të mundësuara nga qeveria, garantojnë mbështetjen më të madhe që i është dhënë zhvillimit të prodhimit bujqësor, eksporteve dhe punësimit njëkohësisht.

“Në janar kemi patur një rritje të eksportit. Nga 1.1 miliardë lekë janarin e kaluar, në 1.5 miliardë lekë këtë janar. Ka një rritje të eksportit dhe ka një rënie të importit të disa prodhimeve bujqësore, që kanë patur një zhvillim më të konsiderueshëm, falë mbështetjes që kemi dhënë.

Kemi hapur një cikël komplet të ri për bujqësinë me mbështetjen e qeverisë shqiptare që ka ngritur një Fond garancie dhe me bankat e nivelit të dytë, që falë bashkëpunimit tonë me Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim janë të gatshme të japin kredi me interesa shumë të favorshme për bujqësinë.

Kjo e kombinuar me programin e financimit të ujitjes dhe kullimit, programi më i madh që ka financuar një qeveri shqiptare në këto 25 vjet për të siguruar që pastrohen të gjitha kanalet dhe të sigurohet ujitja dhe kullimi, ne kemi besim se do të na japë një hop cilësor dhe sasior”, tha Rama. Kryeministri inkurajoi edhe njëherë fermerët që për të mirën e tyre financiare e për të përfituar sa më shumë nga skemat e ndihmës, të pajisen me NIPT.

“Ne kemi bërë një sakrificë buxhetore, në kuptimin e përgjithshëm të buxhetit, duke vazhduar të rimbursojmë 20% të prodhimit, në mënyrë që të nxisim formalizimin dhe qoftë për ju, qoftë për të gjithë ata që prodhojnë në fushë, është shumë e rëndësishme që të jenë të formalizuar, në mënyrë që të përfitojnë 20% e rimbursimit. Ata që kanë marrë NIPTI-n përfitojnë shumë më tepër se më parë”, shkruan Gazeta Shqip.

Exit mobile version