Site icon PORTALB

Gazetari i jep përgjegjësi publikut, jo partisë

Artikulli i portalit Aktuale për përgjigjen e Izet Mexhitit ndaj Zeqirja Ibrahimit

[Recension: Mexhiti ka një përgjigje për Ibrahimin e “Besës”]

Raportimet e gazetarëve duhet të jenë gjithëpërfshirëse dhe të paanshme. Sidomos, kur kemi të bëjmë me raportime mbi debate politike, ku kemi debatues nga parti të ndryshme, sikur në rastin e tekstit që po e recensojmë. Gazetari në asnjë moment nuk duhet t’i japë përparësi asnjërës palë, për shkak bindjeve politike personale ose për shkaqe tjera.


Linku deri te artikulli origjinal:
 “Mexhiti ka një përgjigje për Ibrahimin e “Besës”

Data dhe koha e publikimit: 17.03.2016

Data e recensionit: 21.03.2016

Recensues: Xhenis Sulimani

Produkti gazetaresk që po e recensojmë në tekst i jep përparësi vetëm njërës palë. Ai, duke raportuar mbi debatin e organizuar nga albinfo.ch, i jep përparësi vetëm deklaratës së Izet Mexhitit mbi një pyetje të parashtruar nga pala tjetër, por të cilën teksti nuk e bën publike. Duke përshpejtuar që të theksohet qëndrimi i politikanit, bile është harruar që të bëhet hyrja adekuate e lajmit.

“Ndërkohë, nënkryetari i BDI-së Izet Mexhiti ka pasur një përgjigje deri tek përfaqësuesi i Lëvizjes “Besa” Zeqirija Ibrahimi i cili në tryezën e rrumbullakët sot të mbajtur në Shkup, kishte parashtruar një pyetje ndaj Mexhitit. “Deri te shoku im Zeka, kam një përgjigje: Kur bëni kritika prej në mëngjes deri në mbrëmje dhe durojmë, duroni edhe një kritikë të vogël ndaj juve.”

Gazetari duhet të përmbahet nga animi politik në përmbajtjet informative që i prodhon. Distanca nga subjektet politike e bën gazetarin më kredibil, ndërsa tekstin më të besueshëm. Vënia në theks vetëm e një pale, në këtë rast subjekti politik, flet për ndikim të subjektit politik/politikanit në produktin gazetaresk. Në këtë mënyrë, teksti shndërrohet në propagandë politike dhe zhvishet nga etika gazetareske dhe profesionale.

Sipas doracakut për Interesin publik të gazetarëve: “Gazetarët e kanë për detyrë që lajmet dhe informacionet t’i trajtojnë me paanshmëri përkatëse, tu japin peshë përkatëse ngjarjeve, qëndrimeve dhe mendimeve të palëve kryesore të storjes”.

Media duhet të jetë institucion për ta mbrojtur interesin publik, e jo interesin partiak, grupor apo klanor. Detyrë e mediave është të sigurojnë debat të hapur për çështje që kanë të bëjnë me interesin e përgjithshëm, duke u pasur qasje të barabartë ndaj të gjitha palëve.

Exit mobile version