Site icon PORTALB

AFËR DHE LARG…

Salajdin Salihu

Salajdin Salihu

Kujdes mos u vrasin statujat!”, tha dikur i çmenduri, që i thoshin gjeni. Emrin e kishte Niçe. Të vërtetat e trishta, që i shkojnë çdo kohe, i kanë thënë të krisurit, që secila kohë i ka pritur me përbuzje ose i ka keqpërdorur. Kjo thënie i shkon edhe kohës sonë, plot me kauza abstrakte e absurde, nëpërmjet të cilave përfitojnë ata të strehës së maskarenjve.

Statujat, që bëhen për të gjallët, me heshtjen dhe pafajësinë e tyre prej mermeri fusin sherr të çdoditshëm. Janë e vetmja gjë që na ofrojnë ata që udhëheqin me punët publike, të cilët e bënë këtë shoqëri depresionuese.

Adhuruesit e statujave dhe përmendoreve homogjenizojnë dy botë të ndryshme, në konflikt me njëra tjetrën. Në konflikt real dhe të sajuar njëkohësisht. Keqpërdorin dhe e monopolizojnë historinë për qëllime të politikës ditore. Pasi nuk kanë çfarë t’i ofrojnë të sotmes, ofrojnë më shumë histori se sa mund të durohet. Shpikin “ideale” për të cilat duhet të vdesin budallenjtë.

Bota ka mësuar nga historia. Shkrimtari Hygo qëmoti fliste për një monedhë të përbashkët europiane. Ajo sot quhet “euro“. Sipas shkrimtarit kjo monedhë nuk duhej që të kishte simbole mbretërish, sepse simbolet e këtilla mund të nxisnin trazime të ndryshme kombëtare. Tek “euro” kemi ura. Ura si simbol bashkëpunimi shtetesh, kombesh, kulturash të ndryshme. Me gjithë këtë kujdes, sërish hasmëritë nxjerrin krye në forma të ndryshme.

Edhe tek ne ka ura. Ura e Gurit. Urat tona nuk bashkojnë brigje, por ndajnë qytete në dy pjesë. I andejshmi dhe i këtejshmi. Këndej dhe andej urës. Këndej e andej Vardarit. Në këtë ndarje ka dhe fitues. Janë ata të strehës së maskarenjve, që do të duhej të ishin humbësit e përgjithmonshëm. Janë liderthët me ambicie të mëdha e mundësi të vogla…

Ky vend ka klimë të mirë. Ka njerëz të qetë, që edhe mund të hasmërohen. Në konflikte, siç thotë Herman Hesse, njerëzit nuk vrasin nga urrejtja, por për shkakun e bashkësisë.

Ky vend ka bukuri kulturore, gjuhësore, kombëtare e religjioze, por ka edhe shumë çmendi, shumë verbësi, shumë frikë nga “tjetri”, shumë teori konspiracioni, shumë mosbesim. Ka shumë refrene, shumë pagjuhësi, shumë trivialitet, shumë riformulim idesh të vjetra. Ky vend prodhon shumë kiç, që të ngulfatet kreativiteti.

Në këtë vend njerëzit jetojnë bashkë dhe të ndarë. Afër dhe larg. Pranë dhe në distancë. Kanë përfytyrime dhe perceptime të ndryshme për gjithçka: për të kaluarën, të tashmen e të ardhmen. Ka edhe pasqyra magjike e hipokrite, që thonë: “Je më i bukuri, më i miri!“. Dhe vazhdojnë: “Kujdes nga tjetri!”.

Këtu frika mbillet e kultivohet që në fëmijëri. Ajo u lihet trashëgim pasardhësve.

Këtu realiteti flijohet për shkak të mitit, i cili ndikon në jetën e përditshme; ndikon në vendimmarrjet politike. Përfitojnë elitat jo vetëm politike, por edhe akademike, tejet paranojake, që e projektojnë shtetin siç dikur e projektonte “Francuska 7”.

Për shkakun e kësaj mendësie, Maqedonia ka paqe të trishtë. Është vend i vogël me probleme të mëdha. Është vend i vogël me mashtrues të mëdhenj. Ata që e udhëheqin vendin, pra padronët e vërtetë, vuajnë nga kompleksi i vogëlsisë. Janë të vegjël mendjemëdhenj. Syçelë të verbër. Largpamës që nuk shohin afër. Janë frikacakë të trimëruar. Prekin aty ku gjithçka mund të rrëzohet si kullë kartoni. Prekin në ndjeshmëritë kombëtare. Mjafton t’i dëgjoni se çfarë thonë tash e sa vite megafonat e regjimit, mjafton të lexoni se me çfarë helmesh urrejtjeje helmohen nxënësit, që ta kuptoni se sa e pashpresë është e ardhmja e këtij vendi.

Mund të duket prognozë pesimiste, por fatkeqësisht ky është realiteti. Pa e pranuar këtë realitet nuk mund ta ndryshojmë. Realiteti ndryshohet nëse e njohim. E realiteti është i trishtë, me shumë helme të urrejtjes. Ky realitet është “tokë e premtuar” për hipokritët e mashtruesit, që nuk duan asnjë zgjidhje. Po edhe ne që i përkrahim nuk është se jemi ndryshe. Bëjmë kinse nuk e durojmë gjendjen në të cilën jemi, por kemi frikë ta ndryshojmë atë, sepse nuk duam që ta ndryshojmë vetveten. Duam që të jetojmë në botë të izoluar, nga e cila kemi frikë të dalim. Presin atë që do ta sjell çasti e jo atë që duhet bërë. Na pëlqen gjendja pasive, nga e cila asnjëherë nuk erdhi diçka e mirë. Një popull që bie në defetizëm, ai është një popull i humbur. Nuk mendon ta ndryshojë botën, por dëshiron ta braktis atë, në kërkim të një bote të ndryshme nga ajo që e ngulfat…

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

 

Exit mobile version