Site icon PORTALB

Ndërroi jetë veprimtari Shaip Bilalli

Shaip Bilalli

Ndërroi jetë intelektuali e veprimtari i çështjes shqiptare Shaip Bilalli. I lindur më 10 janar 1945 në fshatin Çegran, Komuna e Gostivarit, shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa shkollën e mesme në Shkup, në gjimnazin e njohur “Zef Lush Marku”. Fillimisht punoi si mësues në shkollën fillore të vendlindjes ndërkaq pasi mbaroi studimet në Universitetin e Prishtinës, punoi si profesor i Historisë në shkollën e mesme.

Në vitin 1968 ai arrestohet dhe mbahet një vit në burg për veprimtari atdhetare. Në vitin 1982, Shaip Bilalli emigroi në Zvicër. Që prej fillimit ai ishte pjesëtar i Lëvizjes Ilegale dhe dha kontribut të çmuar në zgjerimin e saj gjithandej në mërgatë dhe sidomos në viset shqiptare në Maqedoni. Me formimin e subjekteve politike legale në trojet shqiptare nën Jugosllavi, degët e tyre u formuan edhe në mërgatë. Shaip Bilalli ishte themelues dhe kryetar i Partisë për Prosperitet Demokratik, Dega në Zvicër.

Pas çarjeve që pati ky subjekt politik dhe pas themelimit të Partisë Demokratike Shqiptare, Shaip Bilalli mbështeti krahun e Arben Xhaferit, njërit prej prijësve më të shquar të Lëvizjes për çlirimin dhe bashkimin e trojeve shqiptare. Vitet e fundit të jetës së tij, Shaip Bilalli pati probleme serioze shëndetësore. Ai vdiq më 20 mars 2016 Vevey  të Zvicrës. Varrimi do të mbahet të mërkurën, më 23 mars 2016, në orën 15, në varrezat e fshatit Çegran të Gostivarit.

Exit mobile version