Site icon PORTALB

Etiketimet dhe pohimet pa dëshmi nuk i shkojnë për shtat lajmit

nga teksti i StrugaLajm për gazetën e paralajmëruar 2+1

[Recension: “BDI e Shkupit themelon gazetën 2+1”]

Etiketimet janë armik i informimit të drejtë dhe pa prapavijë. Mediet dhe gazetarët nuk duhet të shfrytëzojnë ndikimin që kanë në opinion për të bërë etiketime të paqena ose të padëshmuara, duke mos shfrytëzuar burime dhe duke mbushur një artikull me vlerësime personale.

Linku deri te artikulli origjinal: “BDI e Shkupit themelon gazetën 2+1”

Data dhe koha e publikimit: 19.03.2016

Data e recensionit: 20.03.2016

Recensues: Fatlume Dervishi

Në këtë rast, në tekst etiketohet një medie, e cila ende nuk është bërë pjesë e tregut, si pro-partiake. Lexuesi akoma nuk ka pasur mundësinë të lexojë këtë medie, por pas këtij artikulli, ai ndoshta do ta shohë atë me një sy skeptik, sepse dikush veçmë i ka ‘sugjeruar’ një përshtypje të parë për të.

Duke mos cituar asnjë burim dhe asnjë fakt për të provuar atë që thotë, teksti është përpjekur të lidhë disa të dhëna me njëra-tjetrën, por kjo nuk mjafton për të sjellë konkluzionin që sillet para lexuesit në një lajm.

“Bëhet fjalë për gazetë ditore, e cila do të mbajë emrin 2+1 pas së cilës do të qëndroj Dega e BDI-së në Shkup. Drejtor i gazetës do të jetë Sabedin Bushi, ndërsa kryeredaktor Fami Bajrami, i cili deri tani ka drejtuar portalin e BDI-së Aktuale.mk, njëherësh shok klase i kryetarit të Çairit, Izet Mexhiti.”

Përsëri pa cituar asnjë burim relevant, flitet edhe për shkakun se pse, sipas autorit, kjo parti ka vendosur të hapë një medie të re.

“Vendimin për hapjen e gazetës 2+1, Dega e BDI-së në Çair, e ka marrë pas rejtingut të ulët në Shkup dhe mungesës së mbështetjes nga mediat aktuale shqiptare. Arsye tjetër është edhe ngritja enorme e Lëvizjes BESA në Njësinë e parë dhe të dytë zgjedhore (Shkup dhe Kumanovë).”

Nëpërmjet komentimit, përmbajtja vlerëson rënien e rejtingut të një partie dhe ngritjen e rejtingut të një partie tjetër,  duke e nxjerrë të parën humbëse dhe tjetrën triumfuese, me çka tregohet anshmëri. Madje, kjo bëhet pa cituar statistika, anketa ose të dhëna të tjera, që janë më se të nevojshme për raste të këtilla. Kodi Etik i Gazetarëve të Maqedonisë nuk lë dilema se si duhet të trajtohen çështjet në mënyrë objektive.

Exit mobile version