Site icon PORTALB

Gazetari Kajtazi denoncon Kryeministrin në Polici

Gazetari Vehbi Kajtazi

Gazetari Vehbi Kajtazi ka denoncuar në Polici kërcënimin që ai pretendon t’ia ketë bërë, një ditë më parë, kryeministri i vendit, Isa Mustafa.

Gazetari që të dielën thotë të jetë fyer e kërcënuar përmes telefoni nga Kryeministri Isa Mustafa, ka deponuar rastin në Polici. Këtë e ka bërë të ditur vet, gazetari Vehbi Kajtazi përmes një postimi në “Facebook”.

“Sapo kam denoncuar në Polici, kryeministrin e Kosovës, z. Isa Mustafa për kërcënim ndaj meje. Rastin janë duke e hetuar hetuesit e krimeve të rënda në Policinë e Kosovës”, ka shkruar ai, përcjell Gazeta Express. 

“Pres prej Policisë, Prokurorisë dhe Gjykatës që të veprojë me të njëjtat standarde sikur në rastin e Alban Morinës, i cili ishte arrestuar, akuzuar, gjykuar e denuar brenda dy ditësh për shkak të një kërcënimi në Facebook që i kishte bërë djalit të kryeministrit, Besnik Mustafës dhe ministrit Arban Abrashi”, thotë në postimin e tij Vehbi Kajtazi.

Gazetari Kajtazi ka raportuar se kërcënimi direkt nga Kryeministri Mustafa erdhi pas publikimit të një hulumtimi të tij në Portalin ku është bashkëthemelues, “Insajderi.com”, se vëllai i Kryeministri kishte migruar ilegalisht në Gjermani përmes valles së ‘ikjeve masive’ që u shkaktua dimrin e kaluar, pak muaj pasi Isa Mustafa ishte vënë në krye të ekzekutivit.

Edhe vet kryeministri Mustafa, me tu publikuar artikulli e kishte pranuar këtë gjë, dhe kishte thënë se arsyeja e ikjes së vëllait të tij nga Kosova kanë qenë të lidhura me gjendjen e tij shëndetësore, dhe kishte kërkuar shërim në Gjermani.

Exit mobile version