Kryeministri Edi Rama gjatë një interviste për gazetën “Frankfurter Allgemeine Zeitung” në lidhje me refugjatët që mund të kalojnë përmes Shqipërisë drejt vendeve të Schengenit, ka thënë: “Nuk do të ndërtojmë mure. Por as nuk do t’i hapim kufijtë, sepse kjo do e bënte barrën edhe më të rëndë”.
Ai ka deklaruar se për momentin nuk ka shenja të tilla e ka premtuar se pala shqiptare po e vëzhgon situatën me kujdes.
Rama tha se Shqipëria ka ofruar strehim të refugjatëve, por parakusht për këtë është një politikë e harmonizuar ndërkombëtare e migrimit. Kryeministri Rama i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian që të angazhohet më shumë për t’u ballafaquar me dramën e refugjatëve dhe të mos ua lëre punën faktorëve anësorë si Turqia dhe vendet e Evropës Juglindore.
“Ballkani perëndimor është treguar më evropian se shumë vende anëtare të BE-së, të cilat gjatë krizës së emigrantëve kanë ofruar një pamje të turpshme”, tha Rama.
Sipas tij Maqedonia dhe Serbia kanë regjistruar, transportuar dhe furnizuar me ushqime qindra-mijëra emigrantë gjatë rrugës së tyre drejt BE-së. Rama tha se Serbia dhe Maqedonia e kanë bërë këtë ndonëse nuk janë anëtare të BE-së .
Kryeministri Rama lavdëroi kancelaren gjermane: “Për fat të mirë ekziston Angela Merkel.
“Pa politikën e saj të arritjes së një marrëveshjeje evropiane me Turqinë puna do të kishte ecur shumë më keq”.
Ndërsa shumë politikanë evropianë, media dhe ekspertë të politikave ndërkombëtare kanë kritikuar BE-në se po lejon të shantazhohet nga Turqia, e cila po kërkon heqjen e vizave për qytetarët turq në shkëmbim të ndaljes së refugjatëve,
Edi Rama ka një mendim krejt tjetër përsa i përket ekspertëve të politikave ndërkombëtare që kanë kritikuar BE-në se po lejon të shantazhohet nga Turqia.
“Nuk besoj se Turqia po e shantazhon dikë. Ajo po reagon kundër BE-së, e cila një kohë të gjatë është sjellë e rezervuar ndaj saj, e frikësuar dhe pa strategji të qartë. Nëse tani Ankaraja tregon njëfarë krenarie, kjo është e natyrshme”, është shprehur ai.
Gjatë kësaj interviste Rama ndalet edhe tek anëtarësimi i Turqisë, Shqipërisë dhe shteteve të ish-Jugosllavisë në BE.
“Na duhet një Evropë e integruar. Nuk bëhet fjalë për zgjerim, por për plotësim. Kjo vlen sa për Turqinë po aq edhe për Ballkanin perëndimor”, ka përfunduar ai.