Site icon PORTALB

Gërxhaliu: Rrokullisja e kamionëve shkakton kaos dhe i bënë dëm Kosovës në proceset integruese

Kamion me produkte serbe

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Safet Gërxhaliu sot ka pritur ministrin e Financave, Avdullah Hotin dhe ministren e Industrisë dhe Tregtisë, Hykmete Bajramin, për të diskutuar ndikimin e krizës politike në ekonominë vendore, lokacionet për ndërtimin e zonave industriale, udhëzimin administrativ për lirimin nga tatimet dhe disa nga ligjet që janë në plotësim, që do të ndikojnë në ndryshimin dhe krijimin e një ambienti të përshtatshëm për bërjen e biznesit, raporton Anadolu Agency (AA).

“Kemi pasur takim mjaft pragmatik ku u prekën çështjet që kanë të bëjnë me proceset ekonomike, çka duhet bërë që zhvillimi ekonomik të jetë prioritet dhe si të avancohen të arriturat, në veçanti sa i përket legjislacionit, realizimi i MSA-së dhe falënderojmë ministrin Hoti për pakon fiskale dhe angazhimin e tij që një pako e tillë të jetë e debatuar dhe të krijon lehtësira shumë të mëdha për bizneset”, tha kryetari Gërxhaliu pas takimit, në konferencën për mediat.

Ai vlerësoi lartë bashkëpunimin e Odës Ekonomike të Kosovës me Ministrinë e Financave dhe Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, duke theksuar se të tri këto institucione kanë kundërshtar të përbashkët papunësinë dhe nivelin jo të volitshëm ekonomik.

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë Hykmete Bajrami tha se vizita e saj dhe ministrit të Financave u bë për shkak të lansimit të projektit të unifikimit të numrit të biznesit që mundëson që nga katër numra biznesi të ketë një numër unik të biznesit, që do të ndikon në uljen e burokracisë dhe të lehtësojë punën e bizneseve.

“Gjatë bisedës ne shfrytëzuam rastin që të bisedojmë edhe për projekte të tjera, pasi që siç e dini shumë shpejt fillon implementimi i MSA-së dhe me këtë rast MTI ka filluar fushatën e informimit të bizneseve për kërkesat dhe benifitet që dalin nga nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje”, tha ministrja Bajrami.

Ajo theksoi se janë edhe dy projekte të rëndësishme të cilat janë duke i realizuar me partnerët financiar ndërkombëtar siç janë certifikimi e produkteve për standardet e cilësisë i kualitetit me të cilën do tu ndihmohet ndërmarrjeve të cilat janë duke prodhuar me një certifikimi të kualitetit dhe për fazën e dytë të granteve të cilat do të realizohen në bashkëpunim me donator.

Duke vlerësuar se pakoja fiskale ka dhënë kontribut të rëndësishëm në krijimin e lehtësirave për të bërit biznes, ministri Hoti tha se para institucioneve dhe komunitetit të biznesit mbetet edhe një punë e gjatë. Ai tha se i ka informuar të pranishmit në takim për disa nga çështjet të cilat MF do të punojmë gjatë këtij viti.

“Përmes platformës së investimeve planifikojmë të investojmë rreth 520 milion euro, në projektet e ndryshme të cilat janë aprovuar në Qeveri dhe të cilat shpejtë do ti mundësojmë përmes kredive ndërkombëtare për biznese vendore dhe ndërkombëtare”, tha ministri Hoti.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve lidhur me një deklaratë të përbashkët në mes të OEK-ut dhe Odës Ekonomike të Serbisë, për rastin e rrëzimit të kamionëve me mallra nga Serbia, për çka kishte pasur edhe reagime në opinion, Gërxhaliu theksoi se nuk e ka konsideruar të arsyeshme që deri sot të mbrohet nga sulmet lidhur me këtë çështje.

“Rastet e tilla të rrokullisjes së kamionëve, përderisa OEK-u përgatitet për Samitin e Berlinit i cili do të mbahet në Paris, në qershor, mund t’i bëjë dëm Kosovës e cila atje do të paraqes projekte konkrete në interes të zhvillimit ekonomik, stabilitetit social dhe përshpejtim të proceseve integruese të Kosovës”, tha Gërxhaliu.

Exit mobile version