Site icon PORTALB

Vranë shqiptarin në Angli se si la të hynte në klubin e natës, vijnë në Shqipëri 3 të dënuar

Policia e Anglisë

Të dënuar për vrasjen e një të riu nga Berati, tre shqiptarë janë ekstraduar mesditën e djeshme nga Anglia për në Shqipëri, ku do të vuajnë dënimin me burg. Burime nga policia kanë bërë të ditur se, 3 shqiptarët e ekstraduar në orën 14:35 minuta të një dite më parë akuzohen për vrasjen e Altin Molitës në maj të vitit 2004 në qytetin e Brighton, Britani e Madhe, shkruan Syri.net

Të ekstraduari e djeshëm nga Anglia janë:

Flamur Topalli, 44 vjeç, banues në Peshkopi, i dënuar me 16 vjet burg në Mbretërinë e Bashkuar, për vrasje.

Ermir Dema, 40 vjeç, banues në Burrel, i dënuar me 16 vjet burg në Mbretërinë e Bashkuar, për vrasje,

Vionest Dema, 44 vjeç, banues në Burrel, i dënuar me 17 vjet e 6 muaj burg në Mbretërinë e Bashkuar, për vrasje.

Vrasja e Altin Molita në maj 2004

Viktima Altin Molita, 25 vjeç, jetonte prej gjashtë vjetësh në qytezën e Hove-s, ku gjatë ditës punonte në ndërtim dhe natën në një klub nate. Ai është goditur për vdekje me thikë, më datë 1 maj 2004, rreth orës 01.15, pas një gërvishtjeje makine.

Komuniteti shqiptar në qytetin e Brighton-it u shpreh se gërvishtja e makinave ka qenë vetëm shkaku për të filluar një grindje me fjalë nga të tre të akuzuarit, pasi Altini, i cili punonte si oficer sigurie në klubin e natës “Pussycat Club” në Church Road, nuk kishte lejuar hyrjen e tyre në bar, sepse ata duhej të ishin të shoqëruar me femra.

Molita ka gjetur vdekjen në makinën e tij tip “Opel Astra”, si pasojë e 20 goditjeve me një thikë 25 centimetra të gjatë në kraharor nga Vionest Dema, i cili që në fillim të procesit ka pranuar akuzën për vrasje. Ai, në bashkëpunim me Flamur Topallin dhe Ermir Demën, i kishin zënë pritë viktimës dhe e kanë kryer vrasjen menjëherë pasi viktima ka mbaruar punën në klubin e natës dhe është nisur me makinë për të shkuar në shtëpi.

Tre shqiptarët i kanë zënë rrugën makinës së tij dhe njëri prej tyre është afruar pranë dritares, nga krahu i shoferit dhe e ka goditur Molitën me thikë në kraharor. Pasi janë siguruar se ai ka vdekur, vrasësit janë larguar, për t’u zbuluar pas pak ditësh nga policia, e cila menjëherë i ka vënë në pranga. Njëri prej tre të arrestuarve ka pranuar akuzën, ndërsa dy të tjerët kanë mohuar gjithçka.

Lajmin për vrasjen në mënyrë makabre të Altin Molitës, komuniteti shqiptar në Britaninë e Madhe, dhe në veçanti dy mijë shqiptarët që jetojnë në qytetin bregdetar të Brighton-it, në Jug të Anglisë, e kanë pritur me tronditje dhe me dhimbje njëkohësisht. Kjo edhe për faktin se edhe protagonistët e vrasjes ishin po shqiptarë.

Exit mobile version