Maqedonia fundoset me probleme më të mëdha se sa emri

Paralajmërimet e zyrtarëve të qeverisë për marrjen e datës për fillimin e bisedimeve me Bashkimin Evropian duken zhgënjyese. Fundi i dhjetorit, në pritje të një vendimi për Maqedoninë për të cilën kryeministri Gruevski kohë më parë ka bërë të qartë përgjigjen që meriton, nuk do të jetë i mjaftueshëm për të zbutur makthin e dështimeve disavjeçare për fillimin e bisedimeve me BE-në. 

Kryeministri Nikolla Gruevski nuk është i befasuar nga paralajmërimet e fundit që vijnë nga Brukseli.

“Nuk është befasi një gjë e tillë, duke ditur qëndrimin e Greqisë, pozicionet e tyre si dhe përsëritjet e vazhdueshme se nuk do të lejoj që Maqedonia të merr datë derisa nuk ndryshohet emri dhe është e qartë se kërkohet  që ajo të jetë në pajtueshmëri me kërkesën e tyre, në kuptimin jo vetëm të ndryshohet emri dhe identiteti por zgjedhja e re të bëhet sipas llogarive të tyre”, deklaroi Nikolla Gruevski, kryeministër.

Zëvendës kryeministri Fatmir Besimi, shpalos pozicionet më reale të Maqedonisë lidhur me marrjen e datës për fillimin e bisedimeve. Çështja e emrit sipas tij nuk është problem i vetëm, por në tavolinë duhet të shtrohen edhe disa  çështje tjera politike që kanë të bëjnë kryesisht me kapacitetin demokratik të funksionimit të institucioneve shtetërore.

“Duke pasur parasysh edhe rekomandimin e Komisionit Evropian për të filluar bisedimet të gjitha janë në favor të fillimit të bisedimeve por kjo nuk do të thotë asnjë garanci që në dhjetor ne do të kemi datë dhe nuk duhet të krijojmë pritje joreale që në dhjetor nëse jemi në një gjendje të tillë pa ndryshuar asgjë Maqedonia të fillojë bisedimet me BE. Mirëpo ky fakt nuk duhet të jetë argument për ne për të mos vazhduar angazhimin tonë si në aspekt të reformave ashtu edhe në aspekt të emrit për të punuar drejt BE-së”, tha Fatmir Besimi.

“Çështja e emrit si një trampolinë për ti amortizuar dështimet e qeverisë për fillimin e bisedimeve me BE-në, nuk do të jetë një alibi për të arsyetuar problemet politike. Maqedonia ka emër shteti por nuk ka vizion politik”, theksojnë analistët. 

Bojan Mariçiç nga Qendra Maqedonase për edukim Evropian, thotë se si kalon koha të gjithë e kemi të qartë se Maqedonia fundoset në probleme më të mëdha përpos çështjes së emrit.

“Sot ne kemi problem me kriterin politik gjegjësisht me principet dhe rregullat bazë të një shoqërie demokratike. Ngjarjet e 24 dhjetorit dhe situata në media janë alarmues për gjendjen ku jemi dhe këtë e theksojnë edhe faktorët ndërkombëtar, por edhe organizatat vendore. Praktikisht përdoret çështja e emrit si alibi për ti mbuluar problemet e tjera. Çështja që duhet të brengosur është jo si do të quhet shteti sepse ai e ka emrin e vet por si do të jetë ky vend, a do të jetë demokratik dhe evropian në shekullin 21”, thotë ai.

“Përpos pranimit deklarativ të kritikave dhe vërejtjeve të raportit të Komisionit Evropian dhe festimit të rekomandimit të pestë me radhë për bisedime, nuk shohim asnjë analizë më serioze nga ana e Qeverisë në këtë temë. Zëvendës kryeministri Fatmir Besimi sikur tenton ti hap disa çështje por duket se euro-integrimet nuk do të jenë së shpejti në agjendën e gjithë Qeverisë”,  thekson Mariçiç.

Ai, thotë se Qeveria do të vlerësohet sipas rezultateve e jo sipas dëshirave.

“Ende nuk kemi parë Plan aksional se si do ti zgjidh Qeveria problemet më të hidhura duke filluar nga marrëdhëniet e mira ndër-fqinjësore, lirinë e mediave, korrupsionin, sundimin e së drejtës. Këto probleme duhet të zgjidhen nëse duam përparim”.

Lidija Dimova nga Këshilli për euro integrime të LSDM-së, tha se qeveria nuk tregon asnjë rezultat në asnjë fushë që komisioni i ka cilësuar si kritike në raport.

“Që nga komisioni ad-hoc absolutisht nuk është bërë asgjë. Mediat, edhe këtu ka përkeqësim në ligjin e mediave, edhe Komisioni Evropian doli me qëndrim që ta fryjë mjegullën që e ka krijuar qeveria se duhet patjetër të miratohet ligji. Dialogu politik mbetet problematik, marrëdhëniet ndër-etnike janë ashtu si janë, kohëve të fundit janë vërejtur edhe  probleme të reja”, tha Dimova për REL.

Dimova ka theksuar se plani i veprimit për të eliminuar parregullsitë në raport është një angazhim formal që siç thotë ajo asnjëherë nuk e ka parë dritën e ditës.

“Përsëri e njëjta retorikë dhe përsëri nuk ka asnjë produkt, vetëm nëse nuk e publikojnë, nëse është një plan i fshehtë veprimi, atëherë tërhiqem, mirëpo diçka të publikuar nuk kemi pasur. tha Dimova.

Lajme të ngjashme

Back to top button