Site icon PORTALB

Pas një nate nën tenda, kundër-protestuesit ende qëndrojnë për ta “mbrojtur” Gjykatën Kushtetuese (FOTO)

Mbeturina, forca të mëdha të policisë dhe përafërsisht 100 kundër-protestues, këto janë pamjet që mund të shihen në mëngjesin e sotëm para Gjykatës Kushtetuese, raporton Portalb.

Mëngjesi nën tenda i zbardhi vetëm protestuesit që “e mbrojnë” Gjykatën Kushtetuese, pasi që pala që protestonte kundër kësaj Gjykate mbrëmë është larguar pasi kanë marrë njoftim se dhjetëra autobusë janë nisur drejt Shkupit për të dalë në “mbrojtje” të Gjykatës.

Me qëllim që t’i iket ndonjë incidenti eventual, nga Platforma Qytetare “Hajde”, kanë bërë thirrje që në mënyrë të qetë dhe paqësore të largohen nga vendi ku protestuan përafërsisht 4 orë.

Edhe pse njëra palë e protestuesve është larguar që mbrëmë, nga vendi i ngjarjes, forcat e mëdha policore ende qëndrojnë aty. 8 autoblinda, forca të njësitit special dhe policë, ende po e ruajnë vendin përreth Gjykatës Kushtetuese. Situata është e qetë, të gjitha rrugët janë të lira për kalim.

Gjykata Kushtetuese sot do të mbajë seancë me dyer të mbyllura në të cilë do të vendosë për ligjin për amnisti.

Përndryshe, mbrëmë mijëra qytetarë protestuan kundër vendimit të Gjykatës Kushtetuese për ligjin për amnisti, gjegjësisht, për ligjin i cili i jep të drejta ligjore kryetarit të shtetit që t’i amnistojë mashtruesit zgjedhor dhe pedofilët.

Organizatorët e protestës, bënë thirrje që protesta të jetë e qetë dhe paqësore. Protestuesit fillimisht shprehën revoltin e tyre përpara objektit të Qeverisë së Maqedonisë, për të vazhduar drejt zyrës së presidentit Ivanov, Kuvendit të Republikës së Maqedonisë e për t’u ndalur rreth 500 metra larg objektit të Gjykatës Kushtetuese.

Paraprakisht, gjatë ditës së djeshme qindra kundër-protestuesit kanë dalë dhe e kanë uzurpuar vendin në të cilin ishte objektiv i protestuesve, kështu duke detyruar policinë që të vendosë kordon me policë dhe autoblinda, për të mos i lënë që të ndeshen dy palët e protestuesve.

Protesta ishte e qetë, forca të mëdha të policisë nuk lejuan që të bien ndesh dy palët e protestuesve, ata që siç thonë për ta mbrojtur Kushtetutën, dhe pala tjetër për ta t’i mbrojtur institucionet.

Diferenca mes dy palëve ishte rreth 500 metra, gjegjësisht pala që pretendon se i mbron institucionet ishte në afërsi të objektit të Gjykatës Kushtetuese, ndërkaq pala tjetër u detyrua që të qëndrojë pranë objektit të Teatrin Nacional Maqedonas. Zona mes dy palëve ishte e lirë për të kaluar qytetarët.

Forcat e mëdha të njësive speciale, gjatë tërë kohës e kanë mbikëqyrur situatën dhe në asnjë rast nuk ka dalë situata nga kontrolli. /Portalb

LEXO: Shkup, natë e trazuar protestash (FOTO+VIDEO)

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Exit mobile version