Në emisionin Info Magazine në Klan Kosova, të dy pjesëmarrësit e protestës së vitit 1981, thonë se studentët i bashkoi një kauzë shumë e fortë, ajo e lirisë dhe e pavarësisë.
Krenaria që ishte pjesë e demonstratës që e vazhdoi rrugën e kombit për pavarësi, është ajo që edhe sot e shoqëron Gani Kocin.
“Kur e shohim veten sot ku jemi, edhe nga mosha e mendojmë veten se si ishim në atë kohë. Të jep emocione dhe ndjenja krenarie që i takonim asaj gjenerate. Kërkesat tona ishin më se të drejta dhe të natyrshme”, thotë ai.
Studentët që iu bashkuan demonstratës së famshme të 81-tës, ishin ata që e vazhduan rrugën e lëvizjeve kombëtare për ta shpallur Kosovën Republikë në Federatën e atëhershme Jugosllave.
“Kauza jonë bazohej në parahistori. Në vitin 1981 ne e vazhduam rrugën e nisur nga të parët tanë. Ne e filluam një epokë të re që nuk u ndal. E veçanta e 81-tës është liria e Kosovës. Që nga viti 1981, në asnjë çast lufta nuk u ndal. Të gjithë ishim shumë të bashkuar. Njiheshim më herët dhe bisedonim për situatën ekonomike, sociale e politike të asaj kohe. Ne e planifikuam strategjinë që do t’i prekte studentët”, thotë Koci në ditën e 35 vjetorit të demonstratës që vazhdoi edhe me 26 mars, ku pati edhe të rënë e shumë të plagosur.
Ndonëse më pas u burgos për veprimet e tija në interes të kombit, Koci thotë se idealet i kishte më të fuqishme e nuk iu duk e rëndë të rrinte në burg.
“Jeta në burg është e vështirë, por për njerëzit që kanë ideale e besojnë në to, qëndrimi në burg nuk është asgjë”.
Ndërsa, Kadri Kryeziu që tani është profesor në Universitetin e Prishtinës, e në atë kohë ishte në vitin e katërt të studimeve thotë se studentët që u bashkuan në atë kohë, as që e kishin ëndërruar Kosovën e sotme.
“Është në unin e njeriut që të mos kënaqet me pak. Në atë kohë ne e arritëm maksimalen. As që e kishim ëndërruar që Kosova mund të bëhet kjo që është sot. E lirë dhe shtet. Ne jemi zinxhir i përpjekjeve për të ardhur deri te liria dhe pavarësia. Në ato kohë i kishim nga 21 vjet dhe dënimet me burg në ato kohë ishin të mëdha, deri në 15 vjet. E dinim se liria do të vinte, por se kur, jo”.
Ndjenja e krenarisë, sikurse Kocit nuk i mungon as Kadriut që shprehet se studentët e asaj kohe e luftuan në të gjitha format sistemin politik.
“Ne ishim në burgje, por jemi krenarë me atë që e bëmë. Ne në atë kohë nuk i kishim prpfesorët krah nesh. Vetëm Ukshin Hoti e përkrahte në mënyrë indirekte protestën. E kuptoj që mbretëronte frikë, për shkak se ishim në kohë komuniste, por është dashur të bëjmë më shumë rezistencë”.
“Ne në atë kohë e luftonin sistemin dhe jo autoritetet”, përfundon ai.