Partia Socialiste, pritet të mbledhi të mërkurën në mesditë Asamblenë Kombëtare, në prag të mbajtjes së kongresit të saj të 19 marsit. Sipas njoftimit të shpërndarë me këtë rast 6 do të jenë pikat e rendit të ditës që do të diskutojë forumi socialist.
Një ndër kryesoret do të jetë kërkesa e disa deputetëve socialist për votimin e kryetarit të partisë, por edhe ndryshimet në statut. Pak ditë më parë kryesia e PS zhvilloi mbledhjen e saj, ku sipas burimeve të brendshme ka patur replika të forta mes kryetarit Rama dhe deputetit Blushi. Ky i fundit prej kohësh ka ndërmarrë një fushatë kritikash të ashpra ndaj kreut të partisë, njëherësh dhe kryeministrit të vendit zotit Rama, duke e akuzuar ndër të tjera se nuk ka pranuar të bëjë zgjedhje për postin e kryetarit. Zoti Rama është përgjigjur se fitoret e zgjedhjeve të përgjithshme në vitin 2013 dhe ato lokale në 2015 e kanë konfirmuar udhëheqjen e PS.