Site icon PORTALB

USHT e shënoi 8 Marsin, Ditën ndërkombëtare të gruas (FOTO)

8 Marsi, Dita ndërkombëtare e gruas, u shënua edhe në Universitetin Shtetëror të Tetovës. Për nderë të kësaj dite, në amfiteatrin e Rektoratit u organizua pritje solemne për punonjëset e Universitetit, kuadrin akademik, administrativ-teknik dhe bashkëpunëtoret.

Në këtë manifestim festiv, të pranishmëve me fjalë përshëndetëse iu drejtua senatorja e USHT-së, Myqereme Rusi, e cila përcolli urime për të gjitha nënat dhe motrat shqiptare. “Me rastin e kësaj dite të shënuar kam nder dhe kënaqësi t’ua përcjell urimet më të sinqerta nënave dhe motrave tona për festën e tyre, festën e 8 Marsit. T’u shprehim nderimin dhe mirënjohjen e pakufishme nënave dhe motrave tona për kontributin e dhënë në të gjitha fushat e jetës. Po ashtu, e falënderojmë udhëheqjen e Universitetit tonë, që përpos shënimit të festave të tjera me karakter kombëtar e social, edhe organizimit të 8 Marsit, festës sonë, i kushton po të njëjtën rëndësi organizative. Ne të gjithë e kemi të njohur rrugën e vështirë nëpër të cilën ka kaluar emancipimi i femrës, sidomos në rajonin tonë, në të cilin emancipimi i shtresës më vitale të shoqërisë sonë e përjetoi diskriminimin e pamerituar në arsim, shkencë, kulturë dhe në lëmi të tjera shoqërore. Mirëpo, femra, si shtylla kryesore e familjes dhe shoqërisë, kurrë nuk u dorëzua, nuk rreshti së kërkuari të drejtat e saj që i takojnë, si kudo në botën e civilizuar”, tha Myqereme Rusi.

Sipas profesoreshës Myqereme Rusi, në vendin tonë do të ishte e paimagjinueshme që të synonim t’i përmbushnim objektivat e femrës shqiptare, pa themelimin e Universitetit të Tetovës, i cili që në ditët e para të veprimtarisë arsimore dhe shkencore ofroi një koncept të ri jetësor për shqiptarët në Maqedoni, solli frymën iluministe pa dallim gjinie, feje e përkatësie tjetër. “Me rritjen dhe forcimin e Universitetit të Tetovës, statusi i femrës shqiptare u përmirësua ndjeshëm dhe në këtë mënyrë shoqëria jonë arriti t’i përqafojë vlerat e popujve të civilizuar. Sot, gratë kanë pozicione të rëndësishme në jetën publike dhe shoqërore, janë pjesë e ekzekutivit në të gjitha nivelet e tij, ku kanë mundësi ta ndërtojnë karrierën e tyre siç dëshirojnë.”, shtoi mes tjerash Myqereme Rusi.

Në këtë manifestim, Rektori i USHT-së, Vullnet Ameti, profesoreshës Myqereme Rusi ia dhuroi Logon e Universitetit dhe i ndau mirënjohje në shenjë falënderimi dhe mirënjohjeje për kontributin e dhënë për themelimin e Universitetit të Tetovës, avancimin e të drejtave të femrës shqiptare, përkushtimin ndaj arsimit, shkencës dhe kulturës sonë kombëtare.

Po ashtu, Rektori, Vullnet Ameti të gjithë nënave ua uroi festën e 8 Marsit. “Me rastin e 8 Marsit, Ditës ndërkombëtare të gruas, kam nder dhe kënaqësi, që në emër të Universitetit të Tetovës dhe në emrin tim personal t’ua përcjell urimet më të sinqerta nënave dhe motrave tona për festën e tyre! Avancimi i të drejtave të gruas dhe fuqizimi i rolit të saj në shoqëri do ta përshpejtojë rrugën tonë të përbashkët në integrimet euroatlantike. Vetëm duke i respektuar dhe njohur të drejtat e gruas do të arrijmë të bëhemi pjesë e botës së qytetëruar, ku të gjithë i përfaqësojnë vlerat e civilizimit njerëzor”, tha Rektori i USHT-së, Vullnet Ameti.

Exit mobile version