Herët a vonë, shamia në shkolla do të lejohet

Presidentja Atifete Jahjaga provoi që t’i vendoste kapak çështjes së shamisë islame në shkollat publike, duke thënë që ajo kurrë nuk do të lejohet, por debati veç sa po vazhdon më me intenzitet.

Pas imamit të Xhamisë së Madhe, Shefqet Krasniqit që deklaroi që kjo çështje nuk është mbyllur, edhe deputeti Amir Ahmeti ndanë të njëjtin mendim.

Ahmeti, ish-deputet i Partisë së Drejtësisë (PD), dhe kryetar i Komisionit për Liritë Fetare të formuar nga Kryeministri Hashim Thaçi, thotë se udhëzimi administrativ i Ministrisë së Arsimit që ndalon shaminë islame do të ndryshohet.

“Herët apo vonë, me këtë qeveri apo me ndonjë qeveri tjetër, ky udhëzim do të ndryshohet dhe femrat e mbuluara myslimane do të marrin të drejtën e tyre të mohuar padrejtësisht për tu shkolluar në shkollat publike”, ka thënë Ahmeti për Express.

Ahmeti ka thënë edhe që ndalimi i shamisë islame në Kosovë bie ndesh me praktikat e krejt vendeve europiane, përjashto këtu Francën.

Ai, si drejtues i komisionit të Kryeministrit për Liritë Fetare pati bërë një raport me rekomandime se si të zgjidhet çështja e shamisë në Kosovë, por thotë nëpër këtë raport ende nuk ka marrë përgjigje.

“Pas vizitës në shumë vende europiane bëmë një raport me rekomandime që ia kemi dërguar Kryeministrit Thaçi. Atë raport e kemi nënshkruar 3 nga 4 anëtarët e komisionit, dhe kundër raporti ka qen vetëm zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Petrit Selimi. Megjithëse u bënë disa muaj nga dërgimi i raportit, Kryeministri ende nuk na është përgjigjur”, ka thënë Ahmeti.

Shamia islame në shkollat publike në Kosovë është e ndaluar, dhe janë shumë raste të femrave të cilave u është ndaluar e drejta e shkollimit për këtë arsye./express/

Lajme të ngjashme

Back to top button