Site icon PORTALB

Varrezat e dëshmorëve vizitohen vetëm për marketing politik, ndryshe harrohen! (FOTO)

Varrezat e dëshmorëve Tetovë

Buqeta lulesh, prerje shiritash, rrahje gjoks e plotë ish komandantëve të varur në kollaret e tyre të famshme, karakterizojnë përvjetorët për dëshmorët dhe ndërtimin e komplekseve në përkujtim të dëshmorëve të kombit. Por çka pas kësaj?!

I biri i një dëshmori në redaksinë e Portalb ka dërguar foto nga kompleksi i varrezave të dëshmorëve në  Tetovë, me ç’ rast ka shprehur shqetësimin e tij për pamjen momentale të po këtyre varrezave. I njëjti, i cili dëshiron të mbetet anonim, thotë se disa herë janë drejtuar edhe në autoritetet komunale por ka hasur në vesh të shurdhër.

“Më parë kompleksi ka pasur edhe drita, por tani as dritat nuk funksionojnë, barishte të mëdha, që humbin pamjen reale të objektit nuk paraqesin pasqyrën meritore”. Djali i dëshmorit i irrituar nga pamjet e mëposhtme na lutë që t’i shpërndajmë të njëjtat, me qëllim sensibilizimin e opinionit.

 

Ja si duken varrezat gjatë natës:

Portalb ka kontaktuar edhe me Besim Hodën kryetarin e Organizatës së Veteranëve të Luftës. Sipas tij, kjo që po paraqesim nuk është asgjë e re me atë që ata në vazhdimisi kanë paralajmëruar.

“Ne gjithmonë kemi kërkuar që të shërohen plagët që ende rrjedhin gjak. Ne e dimë se as familjarët e dëshmorëve e as invalidët e luftës nuk marrin përkujdesjet e merituara. Të mos flas për problemin që po e ngritni ju. Ne jo rastësisht kemi kërkuar që të themelohen institucione që do të përkujdesen për objektet e varrezave të dëshmorëve, për përmendoret, … Zakonisht këto punë bëhen vetëm në fushata zgjedhore sa për t’u reklamuar disa të a.q. komandant, dhe duke cuar vetëm një lule gjatë përvjetorëve. Kështu për të vazhduar ta thithin me pambuk gjakun e dëshmorëve, duke mos bërë asgjë për qëllimin e asaj për çka rënë këtë dëshmorë. Po të shkoni dhe t’i shihni në komplekset e dëshmorëve edhe flamujt janë të gjysmëngritura dhe të shkatërruara tërësisht”, u shpreh për Portalb Besimi.

Besimi sqaron se kompleksi në fjalë është ndërtuar për dy dëshmorët e parë që kanë rënë në “Luftën e Kalasë”; Fadil Rufati dhe Servet Ferati, prandaj aty është bërë edhe varrimi i Isa Likës, Komandant Zogut- Rrahim Samiut dhe të tjerë. Duke shtuar se këtë kompleks e kanë ndërtuar shokë të luftës dhe popullata në përgjithësi, dashamirë./Portalb

Exit mobile version