Site icon PORTALB

Spasovski: Puna jonë është të mbrojmë policinë maqedonase dhe Maqedoninë

Oliver Spasovski

Oliver Spasovski

Ministri i Punëve të Brendshme i Maqedonisë, Oliver Spasovski i shoqëruar nga kryeministri sllovak dhe ministri i Punëve të Brendshme i Sllovakisë, Robert Fico dhe Robert Kalinak, vizituan qendrën për pritje të refugjatëve në kufirin jugor të Maqedonisë, raporton Anadolu Agency (AA).

Pas vizitës së qendrës për pritje të refugjatëve funksionarët e lartë vazhduan drejt pikës kufitare greko-maqedonase, ku dhe deklaruan se nevojitet bashkëpunim mes vendeve të “rrugës ballkanike”, ndërkohë që në anën tjetër të gardhit mbrojtës, refugjatët me lot në sy luteshin për të vazhduar udhëtimin e tyre.

Në pyetjen e gazetarëve se si do të veprojnë për të zgjidhur këtë situatë, pasi që në Maqedoni qendra për pritje është pothuajse e zbrazur, ndërsa në anën greke presin rreth 10 mijë refugjatë, Spasovski duke u bazuar në incidentin e fundit u përgjigj se puna e tyre është të mbrojnë policinë maqedonase dhe Maqedoninë, sepse nuk është në rregull që refugjatët të sulmojnë policinë maqedonase.

Ministri Spasovski theksoi se gjatë ditës së djeshme Maqedonia ka pranuar vetëm 300 refugjatë, ndërsa për ditët në vijim tha se ky numër do të varet nga numri që do të pranojnë vendet tjera të “rrugës ballkanike”.

Nga ana tjetër, kryeministri sllovak, Robert Fico, deklaroi se vendi i tij gjithmon do të mbështet Maqedoninë në lidhje me krizën e refugjatëve me ndihmë në personel, teknikë dhe në gjithçka tjetër çka do të ketë nevojë. Ai bëri të ditur se nga dita e sotme në ndihmë të policisë maqedonase do të jenë 20 policë sllovak, ndërsa nëse ka nevojë për të ardhmen do të dërgohen edhe të tjerë.

“Të hënën e ardhshme është Samiti i Bashkimit Evropian dhe ka një nervozizëm të madh mbi krizën e refugjatëve. Të gjithë besojmë se duhet të miratojmë zgjidhje evropiane, por ndonjëherë na duket neve që zgjidhja evropiane nuk funskionon. Kështu që, ndoshta bashkëpunimi bilateral me vendet siç është Maqedonia do të ishte tejet e rëndësishme”, deklaroi kryeministri Fico.

Exit mobile version