Site icon PORTALB

572 vite besëlidhje dhe besëprerje!

Aleksandër Rrema

Aleksandër Rrema

Shqiptarët arritën të shporrin Turqit, koloninë Austro-Hungareze dhe Nazi-Fashizmin, por nuk shporrën kurrë Komunizmin, të shndërruar në një Despotizëm transit.

Shqiptarët sot gjenden në një zhgënjim total, në një mjerim makabër, në një poshtërim përtej çnjerëzores, nga një frustrim i dijeve dhe ideve që nuk vlejnë për asgjë. Të pashpresë dhe të çorientuar totalisht, tamam si mizat e spërkatura nga dezinfektimet shokuese. Shqiptarët e humbën fillin, nuk e kuptojnë më se çfarë do të thotë fjala shpresë dhe, a do mund të ekzistojë ajo, në një tunel të mbushur plot me errësirë dhe mjegull !?

Sepse shqiptarët nuk janë më të gjallë, por të mpirë dhe të vdekur. Me gjithë këto padrejtësi që kanë ndodhur dhe po ju ndodhin çdo ditë, do t’ju nevojitej vetëm një drejtim, një rrugë, një qëndrim, ajo e revolucionit demokratik. Shokimi, mpirja, mjerimi, poshtërimi dhe totalitarizmi, do të merrnin fund dhe tunelit do t’i hapej rruga e dritës së diellit, me shpresa impresionuese për një jetë më të mirë.

Sepse shqiptari i shekullit të ri, apo shqiptari social-komunist i konvertuar në feudal-demokrat, janë po e njëjta gjë, i njëjti konstrukt. Dhe pse vallë ekziston lufta shumë e madhe midis mentaliteteve, kulturave të ndryshme, dinakërish, intrigash, pabesive, tradhtive, kur jemi e njëjta mbetje ? Apo mos ndofta sistemi do një luftë kaotike midis brezash, ku përveç nostalgjisë për dikë dhe diçka, të kthehemi padashur në armiq ideologjik të përbetuar midis njëri-tjetrit ? Ky është shqiptari i sotëm ? Apo ata shqiptarë që ditën të mitizojnë dhe nuk ditën të çmitizojnë ? Që ditën të betonojnë dhe nuk ditën të zbukurojnë të ardhmen e tyre ? Që mësuan të vrasin dhe të presin për krenari nderesh apo moralesh të fjalëve shterpë dhe nuk mësuan kurrë të japin jetën për Atdheun e tyre ? Ky është shqiptari vallë, në të vërtetën e historisë sonë ? Ky është njeriu besëdhënës, mikpritës dhe drejtësi-dashës ? Ky është pasardhësi i Gjergj Kastriotit, i Nolit, i Fishtës, i Konicës, i vëllezërve Frashëri, i Ismail Qemalit dhe i të gjithë Atdhedashësve që nuk kursyen asgjë për këtë vend ?

Këta janë shqiptarët e sotëm. Që midis besëlidhjes dhe besëprerjes, i ndan një hapësirë e madhe intrige dhe paragjykimi. Ku interesi material, frika e humbjes së ekonomisë, mënyra e doktrinës së vjetër, të mpirjes momentale dhe frikës së reagimit, i kanë bërë të heshtur dhe të strukur në ndonjë cep, ku përveç thashethemet dhe dallaveres momentale, nuk dinë të shpresojnë për diçka tjetër më të mirë. Prandaj, kush thotë se shqiptarët janë besnikë, e ka të kot. Sepse midis besëlidhjes dhe besëprerjes, qëndron shqiptari i shekullit të sotëm, ku nuk di të sakrifikojë asgjë për të ardhmen e vet dhe të brezave që do të pasojnë më pas. Por di vetëm të klasifikojë idhuj dhe dinasti politike, duke harruar kështu heronjtë e vërtetë të Shqipërisë!

Exit mobile version