Site icon PORTALB

De Biasi: Kalimi i grupit në Euro 2016, një fitore

Gianni De Biasi

Gianni De Biasi në të gjithë fushën. Nga puna me Shqipërinë, objektivat në Euro 2016, e ardhmja në stolin kuqezi, pretendentët në evenimentin kontinental në Francë dhe zhvillimet në Serinë A italiane.

Trajneri i Kombëtares e nis intervistën për agjencinë “Italpress” me objektin që kuqezinjtë. 59-vjeçari pohoi se “kalimi i fazës së grupeve do të ishte si një fitore për Shqipërinë” , ndërsa vlerësoi se “Italia është një prej skuadrave favorite” dhe në Euro 2016 mund të “kualifikohet lehtësisht deri në gjysmëfinale”.

De Biasi mohoi spekulimet se në rast të kualifikimit në 1/16 e turneut stadiumi në Tiranë do të ketë emrin e tij, por theksoi se pavarësisht rezultateve të Shqipërisë “emrat e heronjve që morrën pjesë në këtë arritje historike do të shkruhen në një pllakatë të artë në impiantin modern që do të ndërtohet”.

I ngacmuar për të ardhmen, tekniku deklaroi se “nuk e mendon rikthimin në futbollin italian”, madje shprehu keqardhje “që nuk e provoi më shpejt një aventurë larg Serisë A”. De Biasi nuk e mendon rikthimin në Itali pas Euro 2016, pavarësisht “një oferte nga vendlindja”, ndërsa zbuloi një tjetër “ofertë nga Europa që e intrigon më tepër”, por si një person supersticioz nuk preferoi të tregonte emra.

Intervista e trajneri vijoi me tregimin nga “bisedimet serioze për të marrë drejtimin e Kombëtares”, te “vështirësitë e fillimit për t’u ambientuar me realitetin e ri dhe bashkëpunimin e shkëlqyer me zv.trajnerin Tramezzani, duke vendosur bazat e së ardhmes së ekipit”.

Për De Biasin suksesi i Shqipërisë erdhi “prej ndryshimit të mentalitetit”. Drejtuesi i stolit kuqezi saktësoi se më parë “një fitore mjaftonte për ti kënaqur të gjithë, ndërsa tani ekipi ka mësuar të synojë gjithmonë e më tepër rezultate”.

Në fund, trajneri foli për Serinë A, ku beson se “me eksperiencë dhe mentalitet Juventusi nuk do ta lejojë Napolin t’ia rimarrë kryesimin”, ndërsa e cilësoi të vështirë për ta komentuar debatin ndërmjet Totti-t dhe Spalletti-t te Roma, pasi diçka të ngjashme e kishte përjetuar te Brescia me Roberto Baggio-n./Supersport/

Exit mobile version