Site icon PORTALB

Qeveria e Kosovës dënon djegien e veturave të zyrtarëve qeveritarë

Qeveria e Kosoves

Qeveria e Republikës së Kosovës përmes një njoftimi ka dënuar sulmin lidhur me djegien e veturës familjare të zëvendësministrit të Administrimit të Pushtetit Lokal, Bajram Gecaj, sulmi i dytë i kryer në paraditen e sotme, pas atij ndaj makinës familjare të ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Memli Krasniqi, raporton Anadolu Agency (AA).

Më tej në njoftim thuhet se “Edhe ky akt i ulët kriminal, i drejtuar ndaj familjarëve të përfaqësuesve të popullit, dëshmon rrugën kriminale që disa përfaqësues politikë kanë zgjedhur dhe të cilët drejtpërdrejtë ose tërthorazi po nxisin kryerjen e krimeve të tilla, në kundërshtim me çdo kod etik e moral dhe traditë të popullit të Kosovës”.

Nga kabineti qeveritar thonë se “Sulmet fizike, pengimi i punës së institucioneve, hedhja e gazit e sprejeve lotsjellëse dhe djegiet e makinave zyrtare e private, të nxitura nga çarqe anarkiste dhe antiperëndimore politike, dëshmojnë përpjekjet e tyre që të shkatërrojnë të arriturat në Kosovë, të ndalin rrugën euroatlantike dhe partneritetin e Kosovës me SHBA-të dhe vendet tjera mike”.

Nga Kabineti qeveritar ftojnë organet kompetente që të marrin masat e duhura ligjore ndaj autorëve dhe nxitësve të këtyre sulmeve, Qeveria e Kosovës fton përfaqësuesit politikë që të shmangin nxitjen e dhunës dhe akteve kriminale.

Qeveria e Kosovës, po ashtu, vlerëson punën dhe përkushtimin e ministrit Memli Krasniqi dhe zëvendësministrit Bajram Gecaj, në avancimin e proceseve shtetndërtuese në Kosovë.

“Sulmet kriminale dhe përpjekjet për zhytjen vendit në anarki, nuk mund ta ndalin rrugën e popullit dhe të Qeverisë së Kosovës drejt integrimeve euroatlantike, vlerave demokratike perëndimore dhe as partneritetin me SHBA-të dhe vendet tjera kontribuese për lirinë, pavarësinë dhe demokracinë në Kosovë”, thuhet në reagimin qeveritar

Exit mobile version