Site icon PORTALB

Mileti i heshtur!

Rri në skajin e botës sime dhe mendoj për të kaluarën, për fëmijërinë, për rininë, për lumturinë, mendoj për vuajtjet, për gëzimet, për dëshirat, për dështimet, mendoj për zhgënjimet. Në këtë gjendje halli, sikleti e mallëngjimi, mendoj edhe për padrejtësitë shoqërore, për premtimet e papërmbushura të demokracisë së shumëpritur, për tranzicionin e stërzgjatur, për gënjeshtrat e kulluara të elitës politike, për kënaqësitë e ulëta të masave, mendoj edhe për heshtjen e thellë të miletit. Mendoj gjithandej, në shtëpi, në punë, në rrugë, në dasmë, në festë, në vdekje, mendoj edhe atëherë kur dua të mos mendoj. Nuk e di se ç’po ndodh me mua! Kam filluar madje të dyshoj te të gjithë! Në përpjekje për të zgjidhur dilemat më është bërë mendja lëmsh. Më mundon diçka shumë e rëndë!

Soji! Nuk e di çfarë soji jemi! Kam pyetur. Po, po vazhdimisht kam pyetur. Nuk kam lënë njeri pa pyetur. Po halli që askush nuk mund të më tregojë! Të gjithë heshtin! Po, po, heshtin! Dhe kjo heshtje më mbyt! Heshtazi bëj pyetjen, pse heshtin? Dhe përsëri heshtje! Pas kësaj heshtjeje, në kokë më shfaqen edhe dhjetëra, qindra, mijëra pyetje për heshtjen! Çuditërisht ata vazhdojmë të heshtin! Heshtin, heshtin dhe vetëm heshtin!

Tani, bashkë me të tjerët, kam filluar të heshti edhe unë! Heshti për afera të ndryshme, për standardin e ulët jetësor, për ikjen e të rinjve, për çështjen e universiteteve masive, për diplomimin e analfabetëve, për punësimin e “pensionistëve”, për intelektualët e rrejshëm, për mungesën e ujit, për ndotjen e ajrit, për keqpërdorimin e votës së lirë… I rrepti e i zgebti po na shesin pordhë! Presim që të hunit e të tutkunit të na e sjellin dritën e mirëqenies, të begatisë, të dashurisë, të lirisë, të vlerës. Një fjalë e urtë dibrane thotë: “Rranë malet, u ngritën halet!” Dhe ne sërish heshtim!

Habitem përse nuk reagoj për heshtjen e të tjerëve, ndërkaq ata sikur frikohen nga heshtja ime.

Një jurist i çmuar por i heshtur i Gjermanisë naziste kishte thënë: “Kur u shfaq Hitleri në Gjermani – unë heshta! Kur u aktivizua ai në skenën politike – unë heshta! Kur u zgjodh lider i partisë – unë përsëri heshta! Kur e filloi luftën e pakuptimtë – unë vazhdova të heshti! Kur krijonte kampe të përqendrimit – po, po, unë rrija heshtur! Kur filloi të burgosë intelektualë – në mesin e të cilëve kishte edhe juristë, madje edhe shokë të mi – unë heshta se heshta! Dhe më në fund, kur më burgosën mua – çuditërisht, të gjithë heshtën!

Exit mobile version