Site icon PORTALB

A pret miq, o i zoti i shtëpisë?

Kanuni i egër, dhe i ashpër, ishte më i fuqishëm se gjithҫka, mbrohej nderi dhe dinjiteti, miku, besa dhe hakmarrja ishin mit. Vdekja shfaqej si një formë urtësie, dhe në fund shndërrohej në art. I lumtë pushka, dy plumba në lule të ballit, edhe varri i paska hije, shkruan Kadare në romanin ‘Prilli i thyer’. Dy të rinj nga veriu i Shqipërisë, duke ikur nga hakmarrja, ishin arratisur, kishin kaluar alpe dhe male me nga një trastë në dorë. Si udhëtarë, kishin arritur në fshatrat e Malësisë së Sharrit. Në hyrje të fshatit, një natë të errët, kishin trokitur në një portë! –A pret miq , o i zoti i shtëpisë? Në atë ҫast ishte dëgjuar zëri, u hap dera. Ata ishin dorëzuar si miq. Nga fataliteti dhe enigma, që kishin ndjekur këta të rinj, tani ndjeheshin të sigurt. Këta dy të rinj kishin shkelur dhe thyer kanunin. Për nga kanuni i riu nga Ukajt, duhej të merrte gjakun e vëllait, nga fisi i hasmit. Për këta dy të rinj, të gjitha rrugët ishin të mbyllura, i vetmi shpëtim ishte arratisja. Në fund djali dhe vajza kishin përjetuar odisenë e ‘Romeo dhe Zhuljeta’. Në këtë fshat ata vunë gurthemelin, vazhduan të jetojnë pasardhësit dhe brezat e ardhshëm. Këta dy të rinj, rrëfente Hasip Ukaj kishin qenë gjyshi dhe gjyshja e tij. Kjo zonë dhe fshatra të Malësisë së Sharrit shekuj me radhë janë marrë me blegtori. Pas shpërbërjes së perandorisë osmane, këta fshatra ranë në okupimin e forcave serbe. Filloi shpërngulja dhe eksodi i këtyre fshatrave për në Turqi. Një ndër ata ishte dhe familja Ukaj. Hasip Ukaj , në pranverë të vitit 1913, me djemtë, Zylfiqarin, Sherifin dhe Shaqirin, me mbi 1000 dele ishin afruar Selanikut. Ata, me gjithë bagëtitë dhe plaҫkat kishin arritur në kufirin e Turqisë. Në mëngjes herët kishin dalë ti përcillnin të afërmit dhe fshatarët. Për ata ҫdo gjë do të ndryshonte. Do të ndryshonin ajrin që thithnin, pluhurin, baltën, diellin që i ngrohte dhe fëmijët që nuk arritën të lindnin, në tokën e stërgjyshërve dhe gjyshërve të tyre. Patriarku plak, u kishte thënë djemve, që ta shkëputnin një copë shkëmb, para stanit që zakonisht në pranverë si gjithë fshatarët, dilnin me bagëtitë dhe bënin jetë nomade deri në vjeshtë. Djali i madh Zulfiqari, kishte mbushur një trastë me dhe. Kurse përpos plaҫkave Shaqiri kishte marrë orën e murit me vete. Tre vajzat, Saba, Elmazja dhe Sanija kishin qenë të martuara, një ndër ato, Sanija ishte gjyshja ime. Të tria motrat, me pikëllim, kujtonin një mëngjes maji, me lot në sy, kishin dalë ti përcillnin prindërit dhe vëllezërit e tyre. Në fund duke u nisur treni, përveҫ vajit, kishin dëgjuar piskamën e nënës. Nga dritarja e trenit dëgjohej klithma, kurse jashtë vaji i motrave, ishte lamtumira e fundit, tërë jetën nuk ishin parë më. Kishin vdekur të gjithë pa u parë në jetë.

“Takimi i familjeve pas një shekulli”

18 tetor 2015, ishim nisur me një minibus, të gjithë nipat dhe mbesat, brezi i dytë dhe i tretë. Një pjesë e familjes kishin arritur me aeroplan nga perëndimi. Pas një shekulli, hera e parë që ishin takuar familjet, që kishin një origjinë dhe gjak, të gjithë nga stërgjyshi Hasip Ukaj. Pasdite arritëm në fshat, moti ishte i vrenjtur. Në hyrje të fshatit, rrugës kryesore në të djathtë ishte një pikë karburanti. Përballë kishin dalë, duke pritur me një xhip Nisan dy burra. U përshëndetëm dhe u përqafuam, me shumë emocione. U ngjitëm lagjes, rrugës vëreheshin gjethet e verdha që kishin mbuluar asfaltin. Para oborrit kishin dalë gjithë familja, fëmijë, djem, vajza dhe gra. Takimi ishte magjeps, nuk i mbanim lotët. Shumica kishin trashëguar të njëjtët emra. Nga brezi i parë ishin akoma gjallë, halla Emine që jetonte në Izmir, dhe xhaxha Dervishi, nga fshati Xhorxhovisht, komuna e Gostivarit. Shtëpia përdhese, ku të parët kishin vënë themelin, edhe se nuk banonin, mirëmbahej nga familja. Ismaili thoshte, edhe në të ardhmen ua kemi lënë fëmijëve dhe nipave amanet, të vazhdojnë ta ruajnë këtë thesar të ҫmuar. Përballë xhamisë ishte një ҫajtore, ku zakonisht në mëngjes dhe mbrëmje burrat e lagjes pinin kafe dhe ҫaj. Pleqtë e lagjes vinin dhe na përshëndetnin duke na gostitur me ҫaj dhe kafe. Ata mbanin mend si fëmijë brezin e parë që kishin ardhur në fshat. Ishin burra të mëdhenj rrëfente njëri ndër pleqtë, dalloheshin nga fshatarët e tjerë, ishin gjigantë me shpatulla të gjera, tipik malësorë. Në festa të ndryshme dhe për Bajram visheshin me kostume popullore kombëtare. Një plak i thinjur me një mjekër të gjatë, tregonte, më kujtohet në mbrëmje, në këtë lagje si fëmijë, pasi dilnim prej xhamisë, zërat dhe bisedat, deri vonë dëgjoheshin në gjuhën shqipe. Të nesërmen vizituam varresat. Afër rrugës ishin varret e gjithë familjes. Në një pllake ishte shkruar, ‘Zulfiqar Turan, i lindur 1885-1965. Pas faljes së namazit të xhumasë, pleqtë e fshatit na treguan orën që ishte varur në mur. Këtë orë nga vendlindja, Shaqiri ia kishte dhuruar xhamisë së fshatit.

“Mendoni se do të jetoni 100 vjet, përpara djem, thërriste komandanti”

Pas tre ditësh vazhduam udhëtimin për në Izmir. Në afërsi të lagjes në një udhëkryq, kishin dalë përpara duke na pritur. Nga brezi i parë ishte gjallë halla Emine. Përballë sallonit, në një kolltuk ishte ulur këmbë mbi këmbë halla Emine, duke na pritur me padurim. Në pamjen e saj dukej brenga, sytë e saj dukeshin të përlotur. Ajo ishte e thyer në moshë, por akoma dukej e kthjellët. Duke na vështruar, me një zë të hollë dhe të thatë: – O Perëndi, tha, kemi pritur tërë jetën, jemi djegur si qiri!. Rrëfente për të atin dhe xhaxhain. Nisi të tregonte për vrasjen e xhaxha Sherifit, por gjatë të folurit nuk dëgjohej mirë zëri i saj. Nga sytë dukej si një qarje pa lot. Memeti një burrë i shkurtër dhe tullac, nxori një album duke na treguar fotografitë. Pastaj, një libër, trungu familjar ‘biografi e paraardhësve’. Gjyshi Shaqiri dhe dy xhaxhallarë ishin vendosur në një fshat 15 km afër kufirit grek, me gjithë bagëtitë. Me fillimin e luftës turko-greke, forcat greke,dogjën gjithë fshatrat, vranë fëmijë, gra, pleq. Më në fund humbëm gjithë pronën dhe bagëtitë. Me nga një valixhe në dorë, u vendosëm në një qytezë ‘Odemish’ 80 km afër Izmirit. Sherifi, më i riu, ishte punësuar si roje tek një familje bejlere. Fillimi i tragjedisë kishte nisur, kur dy persona kishin tentuar të grabisin vajzën e beut. Këta dy të rinj, me pasion të flaktë ishin dashuruar. Sherifi si rojë mbrojti nderin e vajzës deri në fund. Enigma u zbulua, kur njëri nga personat pasi e kishte qëlluar me plumba Sherifin, kishin filluar ta masakrojnë. Vajza në fund u gjuan mbi gjoksin e tij. Ata pas shpine me thika e masakruan vajzën. Memeti, duke shfletuar librin, në një pasazh filloi të lexojë. Gjyshi i tij Shaqiri, në një ekspeditë luftarake, për mbrojtjen e Izmirit kundër forcave pushtuese greke, ai duke qëndruar në istikam, kishte parë duke kaluar komandantin, Pasha Mustafa Qemalin. Gjyshi kishte dëgjuar piskamën e komandantit. Djema duhet mësuar të sakrifikoni jetën, mendoni se do të jetoni 100 vjet, përpara djem, thërriste komandanti! Ai tregonte se komandanti ishte i ashpër, me urdhëra magjepse, ai na jepte vullnet dhe inspirim. Është krenari dhe vdekje e ëmbël të vdesësh për atdhe, thoshte komandanti me origjinë shqiptare, Mustafa Qemali. Memeti në shikim dukej se ishte intelektual, ai vazhdoi të lexojë, në një pasazh tjetër, jetën e egër të malësorëve me shumë passion, nostalgji dhe dhimbje. Nga kujtimet e gjyshit, tregonte për dasmat, doket, ritet dhe martesat shqiptare. Dhëndri sipas zakonit, kishte të drejtë ta vriste nusen nëqoftëse nusja e tradhtonte. Martesa nuk shtyhej, sikur nusja të ishte e vdekur, krushqit do të nisen për ta marrë . Nëse karvani i krushqve ndahej ose kthehej mbrapasht pa nusen, dasma do të kthehej në tragjedi. Memeti tha, që edhe në disa vende të Anadollit ekzistonin kode të egra që u ngjanin kodeve dhe dokeve shqiptare të para shumë shekujve. Në mëngjes u ndamë me sytë të përlotur. – Ҫ’mrekulli, tha halla Emine, tërë jetën më ka munguar familja e etërve, tani do të vdes e qetë! Të gjithë ishim duke hyrë në makina, halla Emine kishte dalë në ballkon rrinte në këmbë, pa lëvizur, ndërsa u nisëm, nga lart dëgjohej klithma dhe zëri i hollë. Dora e saj e hollë dhe e thatë, mbeti e palëvizur. Ishte takimi i parë me familjarët, dhe ndarja, lamtumira e fundit në jetën e saj.

Exit mobile version