Site icon PORTALB

UEJL i përgjigjet letrës së profesorëve të Fakultetit Juridik të Universitetit të Prishtinës

UEJL

Në vend të sqarimit: Misioni ynë i përbashkët është më i madh se çfarëdo hatërmbetje individuale 

(Përkitazi me reagimin e një grupi profesorësh të drejtësisë të UP dhe kolegjeve private nga Prishtina, drejtuar rektorit të UEJL, Prof. Dr. Zamir Dika)

LEXO: Profesorët e Fakultetit Juridik të Universitetit të Prishtinës, letër të hapur rektorit të UEJL-së

Letrën e plotë mund ta lexoni më poshtë:

Universiteti i Evropës Juglindore (UEJL), i themeluar këtu e 15 vite më parë, është prurja më dinamike e cilësisë së mësimdhënies dhe promovimit të diversitetit gjuhësor e kulturor, ide kjo e mbështetur fuqishëm edhe nga  një sens i lartë yni dhe menaxhimit bashkëkohor. Por, gjithsesi krejt kjo u jetësua nëpërmjet investimit prej më shumë se 35 milionë euro donacion i vendeve të Bashkimit Evropian, vendeve anëtare të Këshillit të Evropës, OSBE-se dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për të krijuar një infrastrukturë fizike moderne, por edhe për të përkrahur aktivisht krijimin dhe zhvillimin e resurseve njerëzore me këmbim të dyanshëm me universitetet ndërkombëtarë nga vendet donatore.

Gjatë gjithë kësaj kohe, UEJL, arriti me sukses të krijojë infrastrukturën akademike, me programe të përgatitura me komisione të përbashkëta të profesorëve vendorë dhe ndërkombëtarë. Në këtë fazë, duke u rritur në çdo vit me staf dhe studentë, u instaluan përvoja të reja në teknologjitë e mësimit dhe administrimit akademik, të gjitha këto duke ndjekur dinamikën e reformimit të arsimit të lartë evropian drejt krijimit të instrumenteve për transparencë ndërkombëtare të dijeve dhe kompetencave të arritura. Prandaj, UEJL asnjëherë nuk do ta harrojë kontributin që ka dhënë dhe vazhdon ta japë Universiteti i Prishtinës përmes kuadrove të tij, me të cilin universitet edhe sot e kësaj dite sa vjen e thellohet bashkëpunimi i ndërsjellë. Pra, UEJL vazhdon të jetë model i arsimit të lartë në Maqedoni dhe rajon, kurse Universiteti i Prishtinës ishte një arsye më shumë që të vazhdojmë me këmbëngulje të realizojmë misionin tonë, duke bërë që edhe tregu ta njohë vlerën e të diplomuarve tanë.

UEJL dhe i gjithë stafi akademik i janë shumë mirënjohës kontributit dhe kujdesit të vazhdueshëm të kolegëve nga Universiteti i Prishtinës dhe vlera e tyre matet me trashëgiminë e pasur akademike që lanë prapa. Në UEJL, sot ka docentë dhe profesorë në fushat ku ata kanë vepruar dhe vazhdojnë të kontribuojnë në mënyrë aktive në kahe të reja drejt standardeve të matshme ndërkombëtare.

Sot, të gjithë jemi dëshmitarë se, për fat të keq, legjislacioni në Republikën e Maqedonisë nuk lejon angazhimin e kuadrit mësimdhënës në studimet deridplomike dhe pasdiplomike pas moshës 67 vjeç dhe kjo është arsyeja kryesore pse një pjesë e kolegëve nuk kanë më angazhim direkt në UEJL. Mirënjohja më e madhe për kuadrin që ka kontribuuar dhe që ende vazhdon të kontribuojë në zhvillimin e Fakultetit të Drejtësisë në UEJL vjen nga të diplomuarit, që sot njihen si profesionistë të denjë, duke ecur suksesshëm në karrierën e tyre. Për të gjitha këto të arritura, Bordi i Universitetit në shenjë mirënjohjeje, në çdo përvjetor të Universitetit ka falënderuar publikisht stafin e angazhuar (Prof. Zejnulla Grudën, prof. Kurtesh Saliun, prof. Asllan Bilallin, etj.).

Me këtë rast, edhe njëherë i falënderojmë profesorët e nderuar për gjithçka që kanë bërë për rritën e këtij Universiteti, veçmas për Fakultetin e Drejtësisë, duke konfirmuar se Universiteti ynë do të vazhdojë të jetë i hapur për të mirëpritur çdo sugjerim që do të ndihmonte zhvillimin e UEJL-së.

Dhe, në fund, të nderuar profesorë, ju sigurojmë se Fakulteti i Drejtësisë i UEJL po rritet çdo ditë, duke krijuar  gjenerata të reja të pajisur me dije, shkathtësi dhe kompetenca që tejkalojnë hapësirat e ngushta të Ballkanit Perëndimor.

 

Exit mobile version