Site icon PORTALB

Profesorët e Fakultetit Juridik të Universitetit të Prishtinës, letër të hapur rektorit të UEJL-së

Zamir Dika

Zamir Dika

Tetë profesor nga Fakulteti Juridik i Universitetit të Prishtinës, i dërgojnë letër të hapur rektorit të Universitetit të Evropës Juglindore (UEJL), Zamir Dika, në lidhje me, siç thonë ata, dëbimin e tyre nga UEJL.

Letrën e hapur, të plotë mund ta lexoni më poshtë:

Ne profesorët universitarë të poshtënënshkruar të Fakultetit Juridik të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”-Prishtinë, ju drejtohemi me ketë letër të hapur për të shprehur shqetësimin dhe indinjatën tonë për kahjen që ka marrë kohën e fundit Fakulteti Juridik, me largimin e stafit akademik pjesë e të cilit kemi qenë deri dje edhe ne, ndërsa, sot nuk jemi pjesë e UEJL-së për arsyen te cilën e dini vetëm Ju!

Shqetësimi ynë më i madh nuk është përzënia dhe dëbimi ynë nga UEJL, në mënyrën më të keqe të mundshme (pa asnjë falënderim, qoftë edhe simbolik), por është ruajtja e imazhit të UEJL-së si një aset i rrallë në këtë pjesë të Ballkanit, si dhe jemi shumë të brengosur në radhë të parë për cilësinë e arsimimit të lartë juridik në gjuhën shqipe për studentët e Fakultetit juridik të UEJL-së. Studentët e Fakultetit Juridik të UEJL-së, meritojnë studime cilësore, dije juridike të mirëfillta nga profesorë eminentë dhe me përvojë akademike, që të kenë një përgatitje cilësore për tregun e punës. Sidomos, profesorët me tituj akademik, të lëmive përkatëse dhe me përvojë duhet të mbajnë leksione në studimet e magjistraturës dhe të doktoraturës në Fakultetin juridik të UEJL-së.

Arsyetimi juaj për largimin e stafit akademik me kohë jo të plotë nga Fakulteti Juridik i UEJL-së vetëm nga Universiteti i Prishtinës, (disa edhe të akredituar në RM për mentorë të studimeve të doktoraturës), me arsyetimin se, kjo gjë bëhet në kuadër të optimizimit të resurseve dhe sigurimit të qëndrueshmërisë financiare, jemi të bindur se nuk qëndron, pasi që profesorët e tjerë me kohë jo të plotë që janë të angazhuar në Fakultetin juridik, e që nuk janë nga Universiteti i Prishtinës, fare nuk janë larguar! Nuk duam të mendojmë se në UEJL ka krizë financiare!

Ju përkujtojmë se, mbajtja e togës dhe odorës së Rektorit kërkon një vertikale morale që duhet mbajtur me krenari, elegancë dhe tolerancë, duke lënë gjurmë të arsyes, shkencës, kuptimit dhe tolerancës, dhe assesi mos lejoni që të manipuloheni nga dikush që nuk e do të mirën e UEJL-së dhe të Fakultetit juridik.

Kërkojmë nga ju që të reflektoni në vendimet dhe masat e juaja dhe t`i lëni anash ndikimet nga jashtë dhe në rend të parë të keni parasysh vetëm interesin e studentëve.

Exit mobile version