Site icon PORTALB

Ambasadorja Suomalainen vizitoi BFI-në

Shefja e Misionit të OSBE-së, ambasadorja Nina Suomalainen, me bashkëpunëtorët e saj, ka vizituar Bashkësinë Fetare Islame. Ambasadorja është pritur nga kryetari i Bashkësisë Fetare Islame, Reis ul Ulema H. Sulejman ef. Rexhepi, raporton Portalb.

Nina Suomalainen, veç tjerash ka shprehur interesim edhe për situatën e sigurisë në vend, sidomos pas raportimeve në media lidhur me shkuarjen e qytetarëve në vatrat e luftës.

Efendi Rexhepi ka njoftuar mysafirët se më tepër kemi të bëjmë me spekulime gazetareske se sa diçka të vërtetë.

“E vërtetë është se nga radhët e myslimanëve të vendit tonë ka pasur individë të manipuluar që kanë marr pjesë në vatrat e ndryshme të luftërave që po zhvillohen gjatë këtyre viteve. E vërtetë është se janë vrarë një numër i konsiderueshëm, ndërsa flitet se një numër tashmë janë kthyer në vendlindjet e tyre, por, deri më sot nuk është vërejtur dhe nuk është dëgjuar për asnjë dukuri të pazakonshme që mund të vijë nga ana e tyre”, ka theksuar efendi Rexhepi.

Në vazhdim, pas interesimit të theksuar të delegacionit të OSBE-së që të informohen më në detaje rreth projektit unikat të BFI-së STOP RedTerr, që ka të bëjë me sensibilizimin e opinionit rreth vatrave të pakuptimta të luftës që po zhvillohen në disa vende të Sirisë, Irakut, Avganistanit, Reisul Ulema efendi Rexhepi ka folur në hollësi për të gjitha komponentët  që ngërthehen në këtë projekt.

Në këtë takim, të dy palët kanë biseduar dhe kanë rënë dakord për intensifikimin e bashkëpunimit në mes të BFI-së dhe OSBE-së.

 

 

 

Exit mobile version