7891

Një numër katërshifror. Pak si hurufizëm, ë? Një kod. I vlerave. I suksesit të shqiptarëve të Maqedonisë dhe me gjerë. 7 zanore, 8 milionë kopje, 900 autorë, 1000 tituj. Një rrëfim për një rrugëtim idealist 25-vjeçar. Një çerek shekulli frymëzim. Një storje e suksesit. Shtëpia botuese Logos-A, një ndër “fabrikat” më të mëdha të librit në trojet shqiptare. Më e madhja, më e famshmja, më seriozja, më shkencorja, më e respektuara ndër shqiptarët e këtushëm. Emër simbolik për fjalën dhe dijen shqip në Maqedoni dhe më gjerë. “Ministri e kulturës së shqiptarëve të Maqedonisë” e quajti njëri nga folësit e kremtes së 30 janarit 2016, kur Logos-A shënoi 25 vjetorin, çerekshekullin e ekzistimit të vet, duke promovuar kolonën dymbëdhjetëvëllimëshe “Letërsia shqipe në Maqedoni”. Ne një parathënie të një vepre e kemi quajtur “Universitet alternativ” dhe te menaxhmenti ngulmojmë që kjo të shënohet në kopertinën ballore të çdo vepre që del nga ky institucion që prodhon vlera të mirëfillta, autentike, që bën libra në 3D: për të kaluarën, të sotmen dhe të ardhmen, që edukon breza, që avancon fjalën e shqiptuar (logos prophorikos) dhe atë të mbrojtur (logos endiathetos). Logos, greqisht  λόγος,  nga  λέγω lego, “them”, një term i rëndësishëm në filozofi, psikologji, dhe fe, një term që ka kuptimin e “sfondit”, ” lutjes”, ” mendimit”, ” shpresës”, “fjalës”, “fjalimit”, “llogarisë”, “arsyes”, “shkencës”. Herkaliti (535–475 p.e.s.) këtë term e ka përdorur në kuptim të parimin e rendit dhe dijes.

Universiteti alternativ i quajtur Logos-A nga viti 1990 deri më sot objektiv ka pasur një gjë: vlerat. Vlerat shoqërore, të cilat formohen në kuadër të një shoqërie, pranohen në mënyrë kolektive, përbëjnë kritere që reflektojnë mënyrat e zbatimit të ideve dhe të rregullave të caktuara. Siç dihet, vlerat bazohen në pëlqim, etikë dhe besim. Vlerat tregojnë se cilat sjellje janë të mira e cilat të këqija. Ato mund të jenë heteronome, pra të vijnë nga një istancë suprahumane, dhe autonome, që formohen në kuadër të vijës historike. Njeriu disa vlera i gjen të gatshme në shoqërinë në të cilën lindet, disa të tjera i përvetëson në saje të arsyes vetjake. Spranger bën një tipologji të këtillë të vlerave: shkencore, ekonomike, fetare, politike, sociale,  estetike. Universi i vlerave të Logos-A-së është shumë i gjerë, ai rrok një gamë të madhe të fjalës e cila nga mendja, arsyeja dhe truri përcillet në fjalë që më pas shkrim, e shkrimi është i shenjtë, sepse është ide e materializuar në faqe që pret të mësohet dhe të jetësohet. Dhe në këtë drejtim shtëpia botuese e zënë ngoje ia ka dalë deri më sot të shndërrohet në një “Vatër të urtësisë”, në një vatër ku sillen pena të reja, shkencëtarë, akademikë, romancierë, shkollarë, profesorë, studentë, prindër dijedashës… Ambasada, fondacione, ministri, universitete, institute kanë qenë pjesë e bashkëpunimit me këtë gjigant botues. Logos-A me metodologjinë e vet përzgjedhëse ka ditur të piketojë veprat më të rëndësishme të klasikës, modernes dhe postmodernes. Kolona e botimeve sillet nga kultura shpirtërore deri te ajo shkencore e degëve të ndryshme. Ibn Haldun, Edward Said,  S.H. Nasr, Charles Taylor, Huntington, Creswell, Debeljak, Nasr, Özel, McGuire, Ellis, Frashëri, Demiraj, Lloshi, Starova… Vetëm disa nga figurat e mëdha që janë pjesë e karvanit të Logos-A.

Është cilësia ajo që e dallon këtë entitet kulturor-shkencor. Në Logos-A librat nuk kalojnë sa për të dalë në shesh, aty diskutohet për shkronja, për fjalë, për terminologji, ka mospajtime, ka takime javore, mujore, vjetore, ka polemika “të ashpra” virtuale për tituj alternativë, për fontespice, për autorë, ka “pse po”, “pse jo”, ka si, ka nëse, ka vallë… ka postë elektronike të ngjeshur me ide e divergjenca. Logos-A nuk boton libra për bodrume, as libra që kurrë nuk do të zbresin nga sirtarët, as libra që do t’i venë në poztë të palakmueshme mësimdhënësit: vepra  origjinale perlë, përkthimi i llahtarshëm.  Nuk boton përkthime për dukje, për kamera e lajme. Logos-A bën përkthime për lexim, për leksione, për studentë, për punime seminarike, për punime të diplomës, masterit, për disretacione të doktoratës. Aty arkivohen origjinale, bëhen ribotime të përmirësuara. Në Logos-A nuk bëjnë përkthime të komunikologjisë stomatologë, as të historisë së artit “universalistë të gjithëdijshëm”, aty s’kanë vend diletantët e anonimusët që targetojnë vetëm materialen, por idealistë që kanë shije për sublimen. Në Logos-A nuk ka recensentë e redaktorë që “e qesin emrin” pa e lexuar tekstin nga shkronja e parë e titullit deri te e fundit e konkluzioneve dhe literaturës. Aty nuk botohen autorë që s’janë pjekur për opinionin publik, lexues dhe shkencor, por nga ana tjetër talentët e vërtetë kanë një agorë të gjerë për avancim, për hapërim drej majave të dijes. Logos-A tregon se megjithatë edhe ne dimë dhe mundemi, se nëse ka vullnet dhe disiplinë edhe në kushte të rënda ekonomike dhe sociale mund të gjenerohen vlera, se edhe ne kemi kuaj për garë, se Shkupi mund të jetë përkrah Prishtinës dhe Tiranës, madje në disa segmente edhe të prijë. Prekja e librave të Logos-a do të thotë kontakt me të veçantën, me të bukurën, konkurrenten, sfidën për të hyrë në një botë tjetërfare të leximit. Dhe kodi nga titulli të ndryshojë në mënyrë shumë dinamike, gjithnjë duke ruajtur cilësinë dhe vlerat! Dhe një dëshirë: Të kemi lexues sa më tepër edhe këtu, ku kemi dy universitete! Të ndryshojmë realitetin e hidhur si ky: “Përplasja e qytetërimeve”  dy muaj pas  botimit nga Logos-a, në Shqipëri u shit në 600 kopje, në Kosovë në 200, ndërsa tek ne, brenda një viti nuk u shitën as 25 copë. Jetë të gjatë Logos-a! Suksese të reja! Sa malet rrofsh, universitet i vërtetë u bofsh!

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button