Site icon PORTALB

LDK-ist, zgjohu e thuaj JO hipokrizisë brenda subjektit tënd politik!

Florim Zeqa

Florim Zeqa

Ditëve të fundit, brenda LDK-së janë shtuar zërat kundër zgjedhjes së Hashim Thaçit president i vendit. Kërkesë kjo krejt e natyrshme për rrethanat normale, mirëpo për rrethanat e krijuara politike, thirrja e disa individëve kundër Hashim Thaçit president në njërën anë, dhe heshtja përballë Isa Mustafës në anën tjetër, shkaktarit kryesor që e mbajti në pushtet Hashim Thaçin për këto gjasht vjetët e fundit, për më tepër se hipokrizi politike, është edhe marrëzi njerëzore njëkohësisht.
Mbështetja në heshtje e liderit të LDK-së, i rizgjedhur nën masa të jashtëzakonshme të presionit, shantazhit dhe diktatit politik, është goditja më e rëndë që po i jepet këtij subjekti politik, duke filluar nga drejtuesit e degëve dhe nëndegëve e deri tek anëtarësia e gjere e këtij subjekti politik.

“Kundërshtimi” i hapur i disa deputetëve të LDK-së kundër Thaçit president, përveçse se hipokrizi, është edhe lojë e dyfishtë, ngase të pakët do të jenë ata deputet të LDK-së në Kuvendin e Republikës së Kosovës që do të kenë guximin të mos e votojnë Thaçin president, shkaku i ruajtjes së interesave të tyre personale,….ngase pothuajse secili deputet i LDK-së, nga qeverisja e kaluar (Thaçi 1 e 2) dhe kjo e sotmja, i kanë të punësuar nëpër institucionet shtetërore (qeveri, kuvend, presidencë, ambasada, agjensione, borde dhe institucione tjera) familjarët e tyre; dikush bashkëshorti(e)n, djalin apo vajzën, vëllain apo kushëririn e afërt, hallat apo tezet, të dashurin apo të dashurën, miqtë dhe farefisin e gjerë,…e kështu më radhë të bashkuar në rrjetin korruptiv sikurse në rrejtin e Spiderman-it!

Të gjithë ata deputet të LDK-së në Kuvendin e Republikës së Kosovës, që e patën votuar marrëveshjen në Këshillin e Përgjithshëm të LDK-së, për koalicion me PDK-në me kushtin që Hashim Thaçi të bëhet president i vendit,…mos votimin e tyre të mundshëm e bëjnë, jo për të mirën e vendit, por për të fuqizuar pozicionet e tyre në parti, me qëllim të mbajtjes sa më gjatë në kreun e partisë, liderin aktual Isa Mustafa, për përmbushjen e ambicieve personale për pushtet dhe zhvatje të buxhetit të shtetit përmes klanit qeverisës të Isa Mustafës.

Elektorati rugovian i nderon me mbamendje në kujtesën historike delegatët e pakt të këshillit të përgjithshëm, që nuk e votuan marrëveshjen për koalicion me PDK-në, sikurse që nuk do i harron asnjëherë ata që në Kuvendin e VIII-të zgjedhor të partisë votuan pro zgjedhjes antidemokratike të Isa Mustafës në krye të partisë.

Mbështetësit e Isa Mustafës me lidhjen e koalicionit me PDK-në e Hashim Thaçit, duke filluar nga kryesia, këshilli i përgjithshëm, degët dhe nëndegët gjithandej Kosovës,…dhe mos mbështetja e Peticionit të elektoratit rugovian në mërgatë i shpërndarë në mesin e dhjetorit 2015, do të mbahen në mend dhe do të futen në histori, si mospërfillje e vullnetit të elektoratit rugovian në Diasporë, të qindëramijëra mërgimtarëve, të cilët çdo ditë në forma të ndryshme shprehin vullnetin e tyre për ndryshime substanciale në qeverisjen e vendit, e në veçanti në strukturën udhëheqëse të LDK-së,… parti, e cila në kohën e Presidentit Rugova, ishte partia më mirë e organizuar, e rrethuar me intelektualët të mirëfilltë, veprimtar të devotshëm dhe anëtarësi besnike,…e cila sot fatkeqësisht ka ngelur në dorën e servilëve dhe mjeranëve, lakmitareve dhe sahanlëpirësve të pushtetit.

Megjithatë, deklarimet e fundit të disa nëndegë të LDK-së gjithandej Kosovës kundër zgjedhjes së Hashim Thaçit president, janë një ogur i mirë dhe një dëshmi e fuqishme e tradhtimit të vullnetit të tyre nga lideri aktual i LDK-së, i cili pa pyetur njeri në këtë subjekt, kishte bërë marrëveshje personale me Hashim Thaçin, duke qenë i bindur në vartësit e tij, lakmitaret e të gjitha pushteteve në Kosovën e para dhe pasluftës e deri në ditët e sotme.

Tragjedia më e madhe për këtë parti do të jetë zgjedhja e Hashim Thaçit president, me votat e LDK-së, me votat e të ashtuquajturve ‘’LDK-ista” të maskuar nën petkun e rugovizmit, bashkëpunëtor të devotshëm të PDK-së, SHIK-ut dhe strukturave tjera korruptive.
Edhe pse në njëfarë mënyre mos votimi i Thaçit për president nga ana e deputetëve të LDK-së, e nënkupton prishjen e kurorës qeverisëse mes dy partnerëve qeverisës,….në anën tjetër e fuqizon rolin e liderit diktatorial në këtë parti, duke e lënë të hapur prape mundësinë e ribashkimit të tyre në një koalicion tjetër qeverisës para apo pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

Vetëm largimi i binomit qeverisës PDK-LDK, respektivisht Thaçi-Mustafa me sejmenët e tyre do të thoshte shpëtim për vendin. Kjo në asnjë rrethanë nuk e nënkupton ardhjen në qeveri të një klase tjetër opozitare të korruptuar, të pasuruar skajshmërish mbi kurrizin e një popullate të varfër.
Elektorati rugovian i LDK-së, ka vetëm një alternativë për shpëtimin e asaj çka ka mbetur për t’u shpëtuar në këtë subjekt; distancimin nga lideri partiak, me kërkesën për largimin e tij nga kreu i partisë dhe tërheqjen imediate nga koalicioni vrastar me PDK-në, në të kundërtën, thyeqafja politike dhe përmbytja përfundimtare në greminë e LDK-së do të jenë të pandalshme, pas “varrosjes” politike që i bëri Isa Mustafa LDK-së në kuvendin fatkeq të saj me 31 Majit 2015-të.
Andaj, LDK-ist, zgjohu e thuaj JO hipokrizisë brenda subjektit tuaj politik.

Exit mobile version