Qeveria e Maqedonisë ka propozuar në Kuvendin e Maqedonisë ndarjen e Inspektoratit që drejtohet nga Vanço Shehtanski nga Ministia e Vetëqeverisjes Lokale.
Inpsektorati me këtë vendim do të shëndërrohet në një subjekt juridik të pavarur.
Ndryshimet ligjore janë mbrojtur sot në Kuvend nga ministri i Vetëqeverisjes Lokale, Tahir Hani.
Deputeti i PDSH-së, Bekim Fazliu, ka akuzuar ministrin se është “i pafuqishëm pasi është i hipotekuar, ndaj nuk mund ta shkarkojë drejtorin Shehtanski.
“Në këtë situatë ndodh e kundërta, drejtori Shehtanski është më i fuqishëm dhe ai mund ta shkarkojë ministrin Hani”, ka deklaruar Fazliu.
Kjo akuzë ka sjellë edhe reagimin e ashpër të ministrit.
Shehtanski njihet me vendimet e tij për bllokimin e emrave shqip të disa shkollave të Çairit dhe anulimin e vendimit për shpalljen “Qytetar Nderi të Tetovës” të ish-komandantit Ramush Haradinaj.