Site icon PORTALB

Grevë e përgjithshme 24-orëshe në Greqi

Greqi

Për të tretën herë brenda tre muajve të fundit, Greqia paralizohet nga një grevë e re e përgjithshme 24-orëshe, që konsiderohet si greva më e madhe kundër qeverisë së majtë të kryeministrit Tsipras, që kur ai ka ardhur në pushtet në janar të vitit të kaluar, transmeton TCh njoftimet nga Athina.

Greva është organizuar nga konfederata e sektorit publik ADEDY dhe atij privat GSEE, që kundërshtojnë projektligjin e ri të sigurimeve sociale që pritet të miratohet gjatë këtij muaji.

Në mitingjet e organizuara në vende të ndryshme të kryeqytetit dhe qyteteve të tjera të mëdha të vendit mijëra pjesëmarrës ngrenë zërin dhe protestojnë për këtë ligj të imponuar edhe nga kreditorët e Greqisë.

Prej orës gjashtë të mëngjesit nuk do të funksionojnë ose do të punojnë me orar të kufizuar mjetet e transportit publik. Në grevë janë edhe rreth 30000 shoferë të taksive në të gjithë vendin dhe nuk punon asnjë pikë e furnizimit me karburant. Prej mëngjesit janë të mbyllura të gjitha shërbimet shtetërore, ministritë, zyrat e tatim-taksave, bashkitë dhe prefekturat, muzeumet, shkollat, farmacitë dhe bankat.

Spitalet funksionojnë me stafin e emergjencës, anijet janë të ankoruara në porte, shumë fluturime janë anuluar, ndërsa nuk do punojnë edhe nëpunësit e doganave.

Gazetarët kanë kryer grevën e tyre një ditë më parë, në mënyrë që të mbulojnë zhvillimet e ditës, ndërsa në grevë marrin pjesë edhe juristët që kundërshtojnë reformat e reja për pensionet dhe do vazhdojnë të mos punojnë në shenjë proteste bashkë me noterët edhe për disa ditë të tjera.

Mbështesin grevën e sotme edhe sindikatata e bizneseve të vogla si dhe fermerët që sot kanë hapur të gjitha rrugët e bllokuara me qëllim që të lehtësojnë pjesëmarrjen e qyetarëve në mitingjet dhe protestat, por ndërkohë kanë paralajmëruar se në fundjavë do të bllokojnë të gjitha rrugët e vendit, doganat si dhe hyrjet e porteve dhe aeroporteve me traktorët e tyre.

Greva mbarëkombëtare përkon me mbërritjen në Athinë të ekspertëve të huadhënësve që po rishikojnë dhe vlerësojnë mbarëvajtjen e programit të ndihmës prej 86 miliardë që do marrë vendi gradualisht në shkëmbim të reformave të ndryshme, midis tyre edhe ajo e pensioneve, sistemi i ri i taksave dhe rishikimi i kredive të këqia.

Qeveria Tsipras, që thotë se reforma e pensioneve është e domosdoshme për të siguruar vazhdimësinë e tyre për të gjithë grekët në vitet e ardhshme, kërkon që të kursejë nga subvencionet shtetërore më shumë se 1.8 miliardë euro ose 1% të PBB-së. Për të mbrojtur pensionistët të cilët kanë parë pensionet e tyre të reduktohen 11 herë prej vitit 2010, Athina planifikon të rrisë kontributet shoqërore, por ka hasur në kundërshtimin e fortë të sindikatave.

Exit mobile version