Incident i rëndë është kur keqinformohet!

[Recension: “Incident i ri në Kumanovë”]

Është plotësisht e pa pranueshme që një ngjarje që ka ndodhur para disa javësh të “shitet” si e re. Kjo gjë shkel shumë norma profesionale. Në rastin në fjalë, që veprimi të jetë edhe më problematik, bëhet fjalë për incident të ri në Kumanovë, që për shkak të interesit publik tërheq shumë vëmendje. Por lajmi i servuar tregon për ngjarje të vjetër.
Nga ana tjetër incidentet dhe rastet ku prishet rendi dhe qetësia publike, duhet të transmetohen në formën më të thjeshtë, me qëllim që lexuesi ta perceptojë zhvillimin sikur të ishte në vendngjarje. Të gjithë këtë publikut, duhet t’ia mundësojë gazetari i cili duke thjeshtësuar gjithë dinamikën e zhvillimeve.  Në lajmin që po recensojmë, veç raportimit të vonuar ka diçka tjetër që nuk shkon! Nuk dihet se çfarë ka ndodhur, kjo pasi autori lajmin e ka bërë vetëm duke u bazuar në kumtesën e Ministrisë së Brendshme, e cila gjithmonë publikut i servon informacione me rezerva.

Incident i ri në Kumanovë screenshotLinku deri te artikulli origjinal: “Incident i ri në Kumanovë”.
Data dhe koha e publikimit: 27.01.2016
Data e recensionit: 29.01.2016
Recensues: Adrian Kerimi

Pjesa e parë e tekstit është në rregull, derisa informohet për një incident, ku tre persona dyshohen se kanë kryer vepër penale. Megjithatë gjërat duhen saktësuar. Kjo qasje kaq e kufizuar e gazetarit dhe njëkohësisht kaq gjenerale si “shkel e shko”, krijon më shumë amulli rreth rastit. Autori duhet pasur kujdes në raste të tilla!

Sektori për Punë të Brendshme (SPB) Kumanovë, ka ngritur kallëzim penal ndaj S.M. (38) B.T. (32) dhe M.B. (31), të gjithë nga Kumanova të punësuar në agjenci për sigurim, nën dyshimin se kanë kryer veprën penale “dhunë”, shkruan “Lajm”.

Pjesa e dytë e tekstit, përgënjeshtron titullin. Nëse ngjarja ka ndodhur me 25 dhjetor (para një muaji), pse duhet që në titull lexuesi të dezinformohet, sikur incidenti sapo paska ndodhur?! Për më tepër, çdo lexues që sheh titullin “Incident i ri në Kumanovë”, mendja do t’i shkonte te ndonjë incident i përmasave më të mëdha se ata për të cilat Kumanova ka qenë në qendër të vëmendjes kohën e fundit. Dhe ndoshta ky ka qenë qëllimi i autorit, që t’i japë ngjarjes rëndësinë që realisht nuk e meriton.

Më 25 dhjetorë të vitit të kaluar, të denoncuarit kanë siguruar një lokal nate në Kumanovë. Rreth 10 minuta pas mesnate B.J. (40), Z.S. (44) A.A (39) dhe Z.S (41) të gjithë nga Kumanova, kanë tentuar të futen në lokalin por kanë qenë të ndaluar nga të denoncuarit. Pas kësaj ka ndodhur një zënkë, ndërsa 4 personat janë sulmuar edhe fizikisht nga ana e të denoncuarve.

Titulli që më mirë do t’i shkonte për shtati dhe që nuk do të nxiste panikë dhe hamendje tek lexuesi do të ishte ai i cili do të informonte se për incidentin e 25 dhjetorit në Kumanovë, do të ketë epilog  gjyqësor!

Qasja deri tek informacioni me karakter publik, i garanton gazetarit të drejtën për të kërkuar shpjegim më të detajuar rreth incidentit. Kuptohet se këtë mund ta kërkojë tek Ministria e Brendshme e cila është obliguar t’i shpjegojë atij narrativin e incidentit, që më pas autori të informoj publikun duke sjellë informacion të kompletuar.

Në këtë artikull nuk është përdorur gjuhë e qartë dhe nuk janë sqaruar gjërat. Gazetari lajmin duhet ta bëj gjithnjë duke përdorur edhe sfond! Periudhës së fundit, Kumanova ka qenë qendër e zhvillimeve të ngjashme dhe, edhe në këtë rast kur titulli na thotë se ka ndodhur edhe një incident tjetër, duhet të jepen sqarime për incidentet paraprake.

Gazetari gjithnjë duhet të ketë parasyshë parimin e informimit: “Më mirë të mos informojmë, se sa të dezinformojmë”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button