Site icon PORTALB

Profesorët e Gostivarit: Bindja politike na la pa punë

Dy punonjësit e arsimit të larguar nga puna, edhe pse ishin me vendim, janë ankuar duke paraqitur rastin në gjykatën themelore. Por edhe pasi u vendos në të mirë të tyre, përsëri u dëbuan nga puna. Pas kësaj, rasti kaloi në gjykatën e Apelit. Edhe pas gjyqit pozitiv në favor të tyre, as kjo nuk mjaftoi për t’i kthyer ata në vendin e punës. Elbash Abazi dhe Nadir Ebibi, dy profesorë në gjimnazin e Gostivarit, janë larguar nga puna si tepricë teknologjike. Ata thonë se shkaku kryesor i largimit të tyre, është bindja e kundërt politike, nga ajo e udhëheqësve të komunës dhe drejtorit të shkollës, raporton televizioni 21.

“Largimi jonë nga puna është bërë për shkak të bindjeve tona partiake, politike që mbizotërojnë këtu në vendin tonë, dhe kjo është arsyeja e vetme; nuk ka asnjë arsye tjetër. Këtu nuk mund t’i ndajnë ata se kush është ligjvënës. Në këtë rast vendosë vetëm shkolla dhe individët që i takojnë këtij pushteti aktual që udhëheq me komunën e Gostivarit”, tha Elbash Abazi, Profesor i lëndës së kimisë (i larguar nga puna).

Të njëjtin fat me Elbash Abazin e ka edhe kolegu i tij, mësimdhënësi i gjuhës angleze, Nadir Ebibi.

“Shkaku i largimit nga puna është i qartë, të mos qenurit në të njëjtën ide partiake me drejtorin, bashkërisht edhe kryetarin e komunës, nënkupton që mosrespektimi i tyre ligjor ishte shkaku që neve na larguan edhe pse kishim vendim gjatë gjithë kohës, duke filluar nga viti 2010. Padrejtësisht na larguan edhe pse e fituam gjyqin edhe shkallën e parë, edhe shkallën e Apelit”, u shpreh Nadir Ebibi, Profesor i gjuhës angleze (i larguar nga puna).

Nga ana tjetër, komuna e Gostivarit akuzon arsimtarët në fjalë se gjatë mandatit të kaluar ishin vet ata që larguan profesorët nga vendi i punës.

“Nga që ka qenë i afërt me subjektin politik i cili ka qenë në pushtet aso kohe, pa të drejtë ai ka ngelur në gjimnazin e Gostivarit, ndërsa profesorët të cilët janë shumë më të vjetër se ai janë transferuar në gjimnazin e komunës së Vrapçishtit, dhe të njëjtit profesorë të cilët pa të drejtë u transferuan në  komunën e Vrapçishtit kishin procedurë gjyqësore, me çka e fituan procedurën gjyqësore dhe të njëjtit i kthyen në gjimnazin e Gostivarit”, tha Bashkim Asani, Shef i kabinetit të komunës së Gostivarit.

Exit mobile version