Site icon PORTALB

Mediet nuk janë vendi për apel në emër të partisë

[Recension: “Fillon vetëshpallja e deputetëve të BDI-së”]

Njëkohësisht me aktivitetet politike, në periudhën parazgjedhore, rriten edhe aktivitetet e mediave për të ndjekur këmba këmbës politikën por kjo nuk duhet të sjellë rreziku që media “të rrëshqasë” në njëanshmëri. Disa media janë më të kujdesshme dhe arrijnë të ruajnë profesionalizmin, kurse disa të tjera përqëndrohen vetëm në dhënien e mesazhit të tyre, pa i kushtuar rëndësi mënyrës së si e japin atë mesazh ose respektimit të normave të të shkruarit të një iformacioni.

Linku deri te artikulli original: “Fillon vetëshpallja e deputetëve të BDI-së”

Data dhe koha e publikimit: 28.01.2016, 11:52

Data e recensionit: 31.01.2016

Recensues: Fatlume Dervishi

Lexuesi pikas titullin “Fillon vetëshpallja e deputetëve të BDI-së” dhe e kupton se këtu diçka nuk është në rregull. Nuk është gabim që autori ka zgjedhur këtë titull sepse jep idenë se rritet dëshira për të qenë deputet. Zgjedhja pikërisht e këtij titulli ka për qëllim të godasë në vëmendjen e njerëzve. Ajo që është gabim, është mosdhënia e dëshmive se diçka e këtillë vërtetë po ndodh.

“… burime tona partiake thonë se në radhët e BDI-së veçmë janë paraqitur disa persona që e kanë shpallur veten si deputetë të ardhshëm. Raste të tilla ka pasur në disa komuna, kurse më qesharak ka qenë rasti i një studenti i cili sapo ka diplomuar, kurse me të madhe ka filluar të shitet si deputet i ardhshëm.”

Autori nuk jep asnjë shembull konkret. Nuk ka asnjë emër dhe si rrjedhojë teksti mbetet hamendësi. Madje e quan si “qesharak” rastin e studentit i cili nëse është e saktë, edhe ai ka të drejtë të kandidojë.

Si disa herë të tjera, edhe këtë herë, autorët nxjerrin në publik çdo informacion që ata duan të nxjerrin dhe kjo nëpërmjet burimeve të tyre anonime. Nëse burimet janë anonime, pse u dashka të përcillet në publik apeli i tyre. Dhe e kundërta, nëse është apel zyrtar që e bën BDI-ja, pse u dashka të jetë nga burime anonime.

“Ata apelojnë te biznesmenët, funksionarët por edhe te qytetarët që të mos bien në grackë të këtyre deputetëve të vetëshpallur nëse kërkojnë ndonjë shërbim financiar prej tyre.”

Si përfundim, lexuesi nuk e kupton qëllimin e tesktit. Në fillim të jepet përshtypja sikur kritikat janë ndaj një subjekti politik kurse në fund autori del në mbrojtje të atij subjekti dhe apelon të injorohen persona të caktuar nga radhët e tij. Të paktën, autori mund të kontaktonte zyrtarisht BDI-në për qëndrimin e tyre ndaj informatave nga burimi anonim.

“Prova e të dhënave dhe saktësia janë imperativ moral i gazetarësisë, prandaj gazetari është i obliguar ta provojë informacionin prej sa më shumë burimeve, të paktën prej dy burimeve të pavarura.”

“Zgjedhja e fakteve patjetër të sigurojë informacion objektiv duke pasur parasysh të gjitha apektet e rëndësishme të temës që trajtohet.”

Këto rregulla janë qartë të theksuara në Kodin Etik të Gazetarëve të Maqedonisë dhe duhet respektuar në çdo produkt që synon informimin objektiv.

 

Exit mobile version