Site icon PORTALB

Liderët shqiptarë e dinë vetëm derën e jo foltoren e Kuvendit

Kuvendi i Maqedonisë

Krerët e partive shqiptare janë më të zëshmit gjatë fushatave parazgjedhore duke kërkuar mandate dhe duke u zotuar se denjësisht do të përfaqësojnë interesat shqiptare. Mirëpo në praktikë ata shumë pak përsërisin tonin e zërit që e kanë përdorur gjatë fushatave. Sipas numrit 16 të publikimit “Deputeti im”, gjatë 6 mujorshit të dytë të vitit 2015, në Kuvend gati se nuk janë parë asnjëherë Menduh Thaçi i PDSH-së dhe Ali Ahmeti i BDI-së. Ata si në pjesën e parë të vitit 2015 edhe tani kanë më shumë mungesa të arsyeshme. Thaçi nuk ka qenë prezentë 78 herë ndërsa Ahmeti 72, raporton Portalb.

Mosprezencën e liderëve partiak në parlament, analistët dhe njohësit e çështjeve politike e lidhin me nivelin e kulturës politike. Ja si e komentojnë mungesën e liderëve partiak në Kuvend, analistët për Portalb.

“Pyetja juaj është retorike dhe e drejtë. Por kjo do të vlente vetëm atëherë kur debati kryesor politik do ishte në parlament. Për fat të keq, kur institucionet janë jashtë funksionit të tyre të plotë, ne shohim që debatet dhe gjithçka tjetër ndërmerren jashtë parlamentit apo institucioneve. Nëse marrim për shembull marrëveshjen e fundit, ajo njihet si e “Perzhinos”, pra vendit që është jashtë institucioneve. Kjo situatë nuk lidhet aq ngushtë me pjesëmarrjen fizike ose formale në parlament, sepse nuk është se këta liderë nuk janë në krye të diskutimeve dhe vendimeve që merren. Nëse kultura politike dhe vetë mendeësia do të ishte ndryshe ata do të ishin më shumë dhe në krye të debateve në parlament”, tha për Portalb Nazim Rashidi, gazetar.

Sipas tij, vetë fakti që ne flasim për çështje të këtill banale, se pse s’janë në parlament, dhe jo për atë se çfarë flasin dhe sidomos çfarë vendimesh marrin, flet për nivelin dhe mënyrën primitive se si kuptohet politika, debati dhe ushtrimi i pushtetit.

Politologu Muhamed Jashari vlerëson se një lider partie për të qenë i suksesshëm para qytetarëve ose para atyre që i’a japin votën, duhet të jetë prezent në parlament.

“Parlamenti është vendi ku debatohen çështjet e Res-Publica-s, pra çështjet publike. Është paradoksale që liderët tanë të kërkojnë vota nga qytetarët ndërsa rrallë herë të paraqiten në kuvendin popullor. Në vendet me demokraci të konsoliduara paraqitjet e prijësve të popullit në parlament janë të shpeshta. Vlen të përmendet fakti se Angela Merkel vetëm në muajin janar të vitit 2016 ka marrë pjesë 5 herë në seancat plenare të Bundestagut gjerman, theksoi për Portalb Jashari.

Nga qershori deri në dhjetor të vitit te kaluar Kuvendi i Maqedonisë ka mbajtur 32 seanca, prej tyre 25 seanca pune, pesë për pyetje deputetësh dhe dy fjalime. Gjatë kësaj janë sjellë 396 ligje, pjesa më e madhe ose 212 janë nga sfera e ekonomisë, 107 nga veprimtaritë publike dhe 76 nga fusha e sistemit politik./Portalb

Exit mobile version