Punësuan mijëra administratorë, për të fituar zgjedhjet!

Është shkelur parimi i meritës, i konkurrencës dhe parimi i transparencës. Partitë në pushtet punësuan një numër enorm administratorësh, me çka duan të sigurojnë fitoren e zgjedhjeve, u shprehën ekspertët për Portalb. Sipas tyre opozita duhet të bëjë çmos që të ndalojë punësimet, tani që po afrohet data e mundshme për mbajtjen e zgjedhjeve.

 “Ligji për nëpunës administrativ për nga aspekti përmbajtësor është i harmonizuar me kriteret e BE-së, por nuk realizohet në praktikë. Po të implementohet ashtu siç është, do të kishim administratë të bazuar në parimin e meritës. Ne kemi ligj të mirë vetëm në letër e jo në praktikë, nuk implementohet.”-tha Argëtim Saliu, doktorant në Administratë publike të krahasuar.

Jo-transparencë: numër enorm i administratorëve

Sipas Raportit të Progresit, nuk është siguruar transparencë buxhetore, “Strategjia fiskale për periudhën 2015-2017 ashtu si dhe buxheti janë miratuar pa debat adekuat parlamentar”.

Ligji për transformimin e pozicioneve të përkohshme në kontrata të përhershme, sipas raportit, është sjellur në shkurt pa asnjë konsultim publik dhe se i njejti ka shndërruar mijëra kontrata të përkohshme në të përhershme, duke shkelur parimin e meritës dhe konkurrencës së hapur.

 “Të gjitha raportet e theksojnë problematikën e administratës, më saktësisht mos-transparencën e institucioneve të sistemit shtetëror. Po të kishte transparencë në punësim, në avansim, në çështjet buxhetore e në procedurat tjera administrative nuk do të kishte rritje kaq enorme të numrit të administratorëve.”-tha Argëtim Saliu. Sipas tij ndonëse akoma nuk është zyrtare, bazuar në analiza të shumta dhe në deklaratën e komisionerit Han, numri i administratorëve është 185 000. Kurse sipas mendimeve analitike akademike numri i administratorëve në Maqedoni duhet të jetë 70 000-80 000.

Administratorët, përcaktues të fituesit të zgjedhjeve në Maqedoni
Pikërisht administrata dhe mediat janë përcaktues të fituesit të zgjedhjeve në Maqedoni. Administrata dhe mediat e luajnë rolin kyç për partitë që janë në pushtet për t’i fituar zgjedhjet. Jo rastësisht kemi 1800, dikush thotë se janë 2200 e dikush se ka 30 000 me kontratë në vepër që janë të punësuar. Këto nuk janë asgjë tjetër përpos aktivistë partiak, të cilët janë në shërbim të partisë por që në njëfarë mënyrë iu japin paga, mëditje për shërbimet që ju bëjnë.”-tha Saliu, “Që të menjanohet kjo problematikë është e nevojshme që të bëhet apo të krijohet katalogu i punësimeve në administratën publike dhe shtetërore siç e kemi shembull rastin me katalogun e Sllovenisë, ku ai katalog për çdo muaj jep pasqyrë reale të detajuar për të gjitha punësimet dhe avansimet e reja në administratë.”

“Marëdhënia e rregullt e punës është absolutisht instrument, shtypje mbi njerëzit në administratë të votojnë për partitë në pushtet në zgjedhjet e ardhshme.”-deklaroi  Fani Karanfillova Panoska, drejtoreshë e Fondacionit ‘Shoqëri e Hapur-Maqedoni’.

Opozita të angazhohet, të suspendohet ligji për punësim!
“Ligji për punësim ua mundëson udhëheqësve të institucioneve, ministrave, drejtorëve të institucioneve të ndryshme qeveritare të bëjnë punësime të përkohshme nën pëtkun e këshilltarëve, asistentëve personal.”-tha Saliu.

Sipas tij, partitë në pushtet këtë ligj e kanë miratuar me qëllim që sa më lehtë t’i punësojnë militantët partiak. Opozita duhet të angazhohet që të kontrollojë e të ndalojë çdo lloj punësimi, tani që pritet të mbahen zgjedhje, pasi edhe sipas sistemit zgjedhor në Maqedoni është e patjetërsueshme të ndalet çdo punësim dhe çdo avansim në administratën publike dhe shtetërore, 3 muaj para zgjedhjeve.

Ligji për punësime të përkohshme në administratën publike nuk është suspenduar. Asnjë prej partive politike nuk e merr parasysh këtë. Nuk e dij se sa kthimi i partisë opozitare në Parlament ka bërë presion që të vendos në rend dite diçka të tillë, të flasin për suspendimin e ligjit gjatë kohës së zgjedhjeve.”-tha Panoska, “Derisa ligji është në fuqi, partitë në pushtet e shfrytëzojnë atë si mundësi për të fituar vota shtesë.”

Ndryshe se a ka pasur punësime kohën e fundit dhe se a është suspenduar ligji në fjalë, Portalb pret përgjigje nga Ministria për informatikë dhe administratë. /Portalb.mk

Në pyetjen a ka pasur punësime kohën e fundit, nga Ministria për informatikë dhe administratë u përgjigjën:
“Po, vetëm në kohë të caktuar dhe në rrethanat e përcaktuara në nenin 22 të Ligjit për të punësuarit në sektorin publik, ose për zëvendësimin e përkohshëm të punëtorit që mungonte, rritje të përkohshme të fushëveprimit të punës, punë në projekt dhe ngjajshëm. Punësimi në kohë të pacaktuar në institucionet e karakterit publik do të fillojë pas përgatitjes së planeve vjetore nga ana e institucioneve, ose pas sjelljes së Metodologjisë për planifikim të punësimeve në sektorin publik, të përcaktuar në nenin 5 të Ligjit për të punësuarit në sektorin publik. Zyrtarët ushtarakë dhe policorë, ose personat e autorizuar të përmendur në nenin 3, paragrafi 3 i të njëjtit ligj, nuk janë të përfshirë me metodologjinë e lëndës.”

Të pyetur për suspendimin e Ligjit për punësim në administratën publike nga Ministria u përgjigjën:

“Ligji për të punësuarit në sektorin publik aplikohet plotësisht dhe si ligj nuk do të suspendohet. Punësime të reja në përputhje me procedurat e ligjeve materiale nuk do të ketë nga dita e sjelljes së Vendimit për shpalljen e zgjedhjeve deri në përfundimin e zgjedhjeve për deputetët e  Parlamentit dhe zgjedhjen e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë, përveç në rast të punëve urgjente.” /Portalb.mk

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button