Çikago i jep disfatën e parë Indianës

Luol Deng shënoi 23 pikë dhe Derrick Rose shtoi 20 të tjera në suksesin e radhës së Chicago Bulls ndaj Indiana Pacers me rezultatin 110-94. Miqtë nga Indianapolis që erdhën në këtë përballje me petkun e skuadrës së pamposhtur këtë sezon, hasën vështirësi në “United Center” ku Derrick Rose shkëlqeu duke ndihmuar ekipin e tij të zhvillonte një ndeshje spektakolare.

Perioda e parë u mbyll me rezultatin 31-20 për “Demat” që treguan më shumë agresivitet dhe dëshirë për ta fituar këtë takim, ndërsa nga ana tjetër, Roy Hibbert ishte në mbrëmjen e tij më të keqe duke e mbyllur ndeshjen me vetëm 14 pikë.

Perioda e dytë nisi me një ritëm të lartë ku Kirk Hinrich shënoi një 3 pikësh spektakolar duke e thelluar diferencën në 47-28, ndërsa 4 minuta më vonë Rose shtoi një tjetër 3 pikësh duke e mbyllur pjesën e parë të takimit në shifrat 60-35.

Chicago Bulls u bazua gjithashtu edhe në aftësitë e Jimmy Butler, i cili ndihmoi në freskinë e ekipit gjatë pjesës së dytë pasi e nisi këtë përballje nga stoli. Edhe në dy periodat e mbetura ndeshja nuk ndryshoi fytyrë dhe skuadra nga Ilinois i shkakton kështu humbjen e parë Indiana Pacers që këtë vit konsiderohet si një nga rivalet kryesore për të fituar titullin kampion të NBA.

Në takimet e tjera, Miami kaloi 97-81 Charlotte, Dallas siguroi suksesin 108-100 kundër Orlandos, Cleveland i shkaktoi humbjen e radhës Washington 103-96, New York Knicks u dorëzua në Atlanta 90-110, Houston shkëlqeu 122-111 në Denver, Boston u shkatërrua nga Minessota 106-88, ndërsa luftëtarët e Golden State triumfuan 122-88 ndaj Utah.

Lajme të ngjashme

Back to top button