Site icon PORTALB

MPB mohon të jenë rrahur të akuzuarit e grupit të Kumanovës

grupi i kumanoves

Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë ka mohuar akuzat e Avokatit të Popullit dhe palës mbrojtëse se nëpunësit e saj i kanë torturuar dhe shkelur të drejtat themelore të pjesë- tarëve të grupit të Kumanovës, të cilët gjatë mbajtjes së seancës për vlerësimin e aktakuzës, u keqtrajtuan fizikisht nga pjesëtarët e njësitit special të policisë.

Në përgjigjen e MPB-së drejtuar gazetës Koha se deri ku kanë arritur hetimet kundër policëve që rrahën të akuzuarit e grupit të Kumanovës, MPB thotë se aktivitetet e tyre janë ndërmarrë në pajtim me Planin për organizimin e masave taktike-operative, ndërsa theksohet se asistimi i njësisë për intervenim të shpejtë, e cila funksionon në kuadër të MPB, është realizuar më kërkesë të Ministrisë së Drejtësisë dhe se nuk është gjetur rast i keqtrajtimit të të akuzuarve.

“Në procesverbalin të cilin pas ngjarjes i është dorëzuar ministrisë, konstatohet se gjatë gjithë kohës përderisa është zhvilluar asistenca për bartjen dhe sigurimin e personave, personat zyrtarë pa asnjë problem i kanë përmbushur detyra e tyre ligjore. Duke ju referuar aktiviteteve të cilat NJISH i ka realizuar me datë 07.12.2015, mendojmë se akuzat për shkelje të lirive dhe drejtave nga ana e përcjelljes policore kundrejt të paraburgosurve, të cilat janë bartur në hapësirat e Gjykatës Themelore Shkupit 1, janë të pabaza.

Përderisa për shkelje të rënda apo të lehta të disiplinës apo rendit të punës, nëpunësit në MPB ndëshkohen me masa disiplinore. Këto masa shqiptohen sipas dispozitave të kontratës kolektive si dhe rregullat e ministrisë”, thuhet në përgjigjen e MPB-së. Në përgjigje, MPB madje ka sqaruar se nuk është ajo që duhet të ngrit hetime! “Propozim për ngritjen e procedurës disiplinore, mund të iniciojnë drejtori i Byrosë, udhëheqësi i Drejtorisë dhe Punëtorëve të Autorizuar nga ana e ministrinë (propozues zyrtar), varësisht nga hierarkia e vendosur në njësinë organizuese, në të cilën i punësuar ka qenë i shpërndarë në kohën kur kanë ndodhur lëndimet”, thuhet më tej në përgjigjen e MPB.

Ndryshe, avokatët mbrojtës të të akuzuarve për “terrorizëm” dhe “organizatë terroriste” si dhe zyra e Avokatit të Popullit në disa raste akuzuan se mbi pjesëtarët e grupit të Kumanovës është ushtruara dhunë fizike. Madje, pas një heshtje disa mujore, edhe Prokuroria Publike u zotua se do të hetojë akuzat, megjithëse deri më sot, asnjë përfundim për rastin nuk ka.

Exit mobile version